Producenti ekzekutiv i serisë “Firefly”, Tim Minear, përsëri e ka ndezur zjarrin në mesin e fansave të serisë, të cilët për vite të tëra e dëshirojnë vazhdimin e serisë. Disa ditë më parë, ai e postoi një tweet nga dita e fundit e xhirimit të serialit, nga viti 2002, dhe më pas atë e postoi edhe Alan Tudyk, një nga yjet e serisë.
Natyrisht, kjo i ngriti disa pyetje në mesin e fansave, kështu që TheWrap vendosi t'ia drejtonte ato pyetje Minearit dhe presidentit të programit argëtues të “Fox”, Michael Thorn. Pyetja ishte, "Çfarë duhet të ndodhë nëse uesterni hapësinor me Nathan Fillion në rolin kryesor, kthehet në ekranet e vogla?"
"Përgjigjja e përgjithshme do të ishte që sa herë i shikojmë disa nga titujt tanë klasikë, ia bëjmë vetes pyetjen nëse ekziston mënyra që ta kthejmë atë tregim dhe ta bëjmë të përshtatshëm për kohën e sotme që të jetë po aq imponues siç ishte origjinali, dhe nëse jemi të hapur për atë opsion", tha Thorn dhe shtoi: "Unë personalisht e kam dashur Firefly dhe e shikoja çdo episod. Nuk kam punuar në seri, por e doja. Tashmë kemi menduar për këtë, por e kemi pasur Orville në program, kështu që nuk kishte kuptim t’i kemi dy franshiza hapësinore në program".
Derisa Orville prej atëherë është transferuar në Hulu, vendi për "franshizën hapësinore" është bërë përsëri i disponueshëm, por Thorn tha se Minear është shumë i zënë për momentin, sepse po punon si showrunner i serisë “9-1-1” dhe spin-offit të tij të ardhshëm “9-1-1: Lone Sar”, shkruan KOHA Ditore.
"Por mendoj se kjo është një ide e mirë", përfundoi Thorn.
Minear gjithashtu tha se mendon se do të ishte shumë e vështirë ta mblidhte gjithë kastin për t’i xhiruar sezonet e reja, porse ekziston mundësia që ata të kthehen në ndonjë edicion të kufizuar, mbase brenda 8 ose 10 episodeve.
Natyrisht, asnjë nga këto nuk është e sigurt ose definitive, por mund të shpresojmë që edhe një herë do ta kemi mundësinë ta shohim së bashku ekipin e Firefly, qoftë edhe vetëm përmes disa episodeve.