Kantautorija Raye ka bërë histori në “Brit Awards”, duke fituar gjashtë nga shtatë çmimet për të cilat është nominuar, duke mposhtur emra të njohur si Blur, Adele dhe Harry Styles.
Raye është gjithashtu edhe gruaja e parë që ka fituar çmimin për kantautoren e vitit, raportoi të dielën BBC-ja.
“Artistja që isha tri vjet më parë nuk do ta besonte se sot do të arrija këtu. Jam shef i vetvetes”, ka thënë ajo.
Dua Lipa ka triumfuar në kategorinë për këngën më të mirë të zhanrit pop me “Dance the Night”, kolonë zanore e filmit “Barbie”. Është i shtati trofe i saj në “Brit Awards”, ndërsa Kylie Minogue e fitoi çmimin e ikonës globale.
“Më kanë dhënë ndjenjën e besimit se mund të bëj gjithçka”, ka thënë Dua Lipa gjatë pranimit të çmimit, derisa po fliste për fansat e saj.
Ajo falënderoi gjithashtu babanë dhe menaxherin e saj, Dukagjin Lipa, duke e quajtur atë "Dadager Dougie".
Raye mori gjyshen e saj Agatha në skenë me vete në kohën kur po e pranonte çmimin e gjashtë.
"Gjithçka që kam dashur të bëhem ishte një artiste, dhe tani jam artiste me album të vitit. Faleminderit shumë. Eja gjyshe, le të shkojmë”, ka thënë ajo.