Iris Apfel, një personalitet i shquar i New Yorkut, disenjatore e hapësirave të brendshme, e cila me stilin e saj të pashoq theu barrierat e modës duke kombinuar stilin bohemian me atë hipi, stilin e kohëve të vjetra me veshjet ekstra elegante, e cila gjeti “thesare” nëpër dyqane të dorës së dytë dhe i shpërfaqi në kontradikta, vdiq të premten në moshën 102 vjeçe në Palm Beach të Floridas, raporton Nee York Times.
Iris u lind më 29 gusht të vitit 1921, ishte disenjatore mode dhe e hapësirave të brendshme, aktore e udhëheqëse e një biznesi, të cilin e kishte bashkë me burrin e saj.
Ajo kishte një karrierë të shquar në dizajnimin e hapësirave të brendshme duke përfshirë një kontratë me Shtëpinë e Bardhë nën të cilën përcolli nëntë mandate presidenciale.
Pas pensionimit ajo u bë e famshme në botën e modës kur ishte 80 vjeçe dhe gardëroba e saj u shfaq në një ekspozitë në Muzeun e Artit në New York, në vitin 2005. Ekspozita u kurua e stilua nga vet ajo pasi i kishte veshur secilin nga manekinët ashtu siç do të vishej vet, me bizhuteri e stoli të ekzagjeruara.
Iris pastaj u bë ikonë mode dhe nënshkroi kontratë modelimi me IMG (Grupin Menaxherial Ndërkombëtar) me seli në New York si modele në vitin 2019 në moshën 97-vjeçare.
Përgatiti: Vita Abrashi - Kajtazi