Një nga influencueset më të njohura në botë, Chiara Ferragni, pas skandalit rreth aksionit humanitar në dhjetor të vitit të kaluar, po divorcohet me reperin Fedez, raportojnë mediat italiane.
Problemet e fundit ligjore te çifti duket se kanë luajtur rol të rëndësishëm në ndarje. Sipas “Dagospia”, problemet në marrëdhëniet e tyre nisën që në Sanremo të vitit të kaluar, por Chiara e shtyu marrjen e çdo vendimi për të mbështetur bashkëshortin e saj që kishte probleme shëndetësore.
Megjithatë, kur Chiara e gjeti veten në telashe, Fedez thuhet se tregoi më pak mirëkuptim, duke fajësuar partneren dhe problemet ligjore me të cilat po përballej për efektin negativ në biznesin e tij.
Kjo çoi në një cikël debatesh ku tensioni u përshkallëzua ndërsa Chiara u përpoq të mbante gjërat nën kontroll. Përfundimisht, Fedez dyshohet se iku në Miami.
Disa besojnë se është një strategji PR që influencuesja të kthehet në “kohërat e vjetra” – pra të rikthejë imazhin pozitiv para skandalit rreth shitjes së ëmbëlsirave të Krishtlindjeve, një pjesë e të cilave supozohej të shkonte për qëllime humanitare.
Influencuesja italiane në bashkëpunim me kompaninë “Balocco” patën dizajnuar një tortë festash me mbiemrin e saj, e cila është shitur për 9 euro. Paratë nga shitja do t'i dhuroheshin spitalit pediatrik “Regina Margherita” në Torino për të mbledhur fonde për trajtimin e fëmijëve me kancer.
Kompania i prodhoi ëmbëlsirat dhe i dhuroi spitalit 50 mijë euro, ndërsa Chiara fitoi një milion euro me ndihmën e fushatës humanitare. Autoritetet akuzuan kompaninë “për aplikimin e një praktike të padrejtë tregtare në reklamim duke u sugjeruar konsumatorëve se me çdo blerje do të kontribuonin në një kauzë humanitare, gjë që nuk ishte kështu”.