Showbiz

Beyonce me grant prej 500 mijë dollarësh në vit për shkollat e sallonet e bukurisë

Descriptive Text

Këngëtarja me famë botërore, Beyonce, po dëshiron të ndihmojë sallonet e shkollat e bukurisë duke ju dhënë fonde prej 500 mijë dollarësh për çdo vit, nga fondacioni i saj” BeyGOOD” si dhe linja e saj e re e produkteve për kujdesin e flokëve “Cecred”, raporton FemaleFirst.

“Cecred”, linja që së fundmi e lansoi Beyonce, po i bashkon forcat me fondacionin e saj bamirës “BeyGood”, për t’i financuar shkollat e kozmetikës dhe sallonet e bukurisë në Atlanta, Chicago, Houston, Los Angeles e New Jersey të SHBA-së.

Shkollat të cilat do të financohen do të përzgjidhen nga stilistët e flokëve që i ka vet Beyonce.

“Stilistët e flokëve kanë një ndikim të madh tek klientët e tyre. Ata krijojnë një hapësirë të shenjtë ku klienti mund të tregojë lirshëm se çfarë dëshiron të shprehë përmes stilit të flokëve. Jemi të nderuar t’ia kthejmë të mirën këtij komuniteti. Për ne është shumë e rëndësishme që të ofrohet banim për talentet, të promovohet profesionalizmi si dhe të ofrohet mbështetje për krijimin e bizneseve të mirëfillta”, thuhet në webfaqen e fondacionit bamirës të këngëtares.

Shkollat kozmetike duhet të ofrojnë kurikulë gjithëpërfshirëse në mënyrë që të kualifikohen për përfitim nga fondi prej 250 mijë dollarësh, i cili do të përdoret për t’u ofruar bursa studentëve.
Pjesa tjetër e shumës së parave do të jepet çdo vit për pronarët e kualifikuar të bizneseve nëpër qytete të ndryshme.

“Ne e kuptojmë që të kesh një biznes është shumë e vështirë, pavarësisht se a e merr një lokal me qira apo punon nga shtëpia. Prandaj çdo vit do të ndahen nga 25 grante prej 10 mijë dollarësh që do të ju jepen si shpërblim salloneve të kualifikuara nëpër Atlanta, Chicago, Houston, Los Angeles e New Jersey, në mënyrë që të vazhdojnë ndikim e tyre në komunitet”, shpjegohet në webfaqe.

Beyonce në një intervistë për revistën “Essence” ka thënë se salloni i bukurisë i nënës së saj, Tina, ka pasur ndikim të madh në formimin e saj si person.

“Ky sallon është themeli im dhe si një artiste mendoj se shumë eksperimente të guximshme që kam bërë më flokë vijnë nga inspirimi prej artit e skulpturave. U bëra kreative me gërsheta, duke kuptuar mirë teknikat e reja si dhe duke eksploruar mënyra për mirëmbajtjen e flokëve me anë të produkteve mbrojtëse e parukave, ndërkohë që ndihesha mrekullueshëm. Gjithçka vjen nga përvoja që kam marr ndërsa rritesha duke kaluar kohë tek salloni i nënës time”, ka thënë Beyonce.

Image