Showbiz

Televizioni zviceran pyet për suksesin e muzikës shqiptare

Mediumi i njohur zviceran “SRF.ch” ia ka kushtuar një hapësirë suksesit të muzikës shqiptare duke pyetur se përse kjo muzikë po bëhet më e suksesshme e se si po kalon edhe dialektet në shtetin helvetik.

Lajmin e ka publikuar bashkë me një fotografi të këngëtares kosovare, Dua Lipa, të shoqëruar me disa të tjera nga yjet muzikore shqiptare.

Në Zvicër, më shumë u transmetua muzikë në gjuhën shqipe sesa muzika zvicerano-gjermane në gjashtë muajt e fundit. Muzikantët me origjinë shqiptare janë gjithashtu të suksesshëm ndërkombëtarisht. “Cila mund të jetë arsyeja për këtë?” ka pyetur SRF.

Muzika pop po bëhet më shumëgjuhëshe në mbarë botën, sipas një studimi të kompanisë amerikane të mbledhjes së të dhënave “Luminate”. Falë internetit dhe shërbimeve transmetuese, këngët janë më lehtë të arritshme. Kjo nxit diversitetin muzikor. Për shembull, muzika në gjuhën angleze tani përbën vetëm 56 për qind të rrjedhave globale, nga 67 për qind që ishte në vitin 2021.

Në Zvicër, 61 për qind e këngëve të transmetuara në gjysmën e parë të vitit 2023 janë në anglisht, të ndjekura nga gjermanishtja standarde (rreth 15 për qind) dhe frëngjishtja (8 për qind). Kjo pasohet nga spanjishtja (4 për qind) dhe italishtja (2 për qind).

Vitin e kaluar, këngët në gjermanishten-zvicerane arritën në vendin e gjashtë. Por në vitin 2023, tani ekziston një gjuhë tjetër: gjuha shqipe (1.2 për qind). Dallimi në gjermanishten zvicerane është vetëm 0.1 për qind. Në shifrat aktuale, megjithatë, kjo është 7.5 milionë transmetime më shumë.

“Avangardja” Ava Max

Mediumi i njohur ka raportuar po ashtu se muzika e muzikantëve shqiptarë nuk është në rritje vetëm në Zvicër. Emra si Dua Lipa, Bebe Rexha, Ava Max dhe Era Istrefi kanë famë botërore vitet e fundit me këngë në gjuhën angleze dhe shqipe. Maxin, mediumi zviceran e ka quajtur avangarde.

“Muzika shqiptare tërheq shumë kombësi, meloditë janë ndërkombëtare dhe muzika ka ndikime turke dhe perëndimore. Kjo do të thotë se shumë njerëz gjejnë diçka që u bën thirrje atyre”, shpjegon Ilira, e cila u rrit në Brienz si vajza e prindërve shqiptarë.

Në Zvicër i famshëm është edhe një reper që ka rrënjë shqiptare, quhet EAZ. Ai ka thënë se muzika shqiptare nuk dëgjohet vetëm nga të rinjtë, por edhe nga të moshuarit. “Është gjithmonë diçka ndryshe të dëgjosh muzikë në gjuhën tënde amtare, sepse sjell një pjesë të shtëpisë së vjetër”, ka thënë ai.

“Njerëzit në Zvicër thonë se shqiptarët kanë talent, por as ata vetë nuk mund ta shpjegojnë se pse”, ka thanë Marash Pulaj, reper dhe bashkëprezantues i emisionit humoristik shqiptaro-zviceran, “Fol Shqip Show”. Ai ndër të tjera ka thënë se kombësia s’ka rëndësi, “thjesht nëse ju pëlqen melodia, kënga s’ka rëndësi në çfarë gjuhe këndohet”.

Image