Showbiz

Jennifer Lopez shkëlqen në premierën e filmit “Shotgun Wedding”

Në Los Angeles u shfaq premiera botërore e filmit “Shotgun Wedding”, ku të pranishëm ishin një pjesë e kastës së aktorëve së bashku me regjisorin, Jason Moore.

Ylli i muzikës njëherësh protagoniste e filmit, Jennifer Lopez, tha se përgatitjet për rolin e saj në komedinë e mbushur me skena aksion, ishin të lodhshme dhe sfiduese nga ana fizike, por në të njëjtën kohë edhe shumë argëtuese.

“Zot i madh, është eksperiencë shumë më argëtuese kur filmi përfshinë skena të tillë. Më kuptoni çfarë dua të them? Realizimi i skenave aksion është argëtues, por di të jetë edhe i rrezikshëm dhe të shkaktojë dhimbje. Ky projekt ishte i veçantë sepse asnjëherë më parë nuk kam realizuar komedi romantike që përfshinë edhe aksion. Dhe mezi pres ta shikoj filmin së bashku me publikun sonte, sepse regjisori Jason Moore nuk më ka lejuar ta shikoj atë para premierës. Ai thotë se kështu duhet shijuar më mirë një projekt të zhanrit komedi, në shoqërinë e njerëzve dhe publikut, për t’i përjetuar më mirë emocionet dhe reagimet e tyre”.

Lopez e luan rolin protagonist në komedinë romantike që e rrëfen historinë e Darcyt dhe Tomit, të cilët vendosin të martohen në bregdet por dasma e tyre pengohet nga disa kriminel. Aktori 49-vjeçar, Josh Duhamel, e portretizon të dashurin e 53-vjeçarjes Lopez në ekran të madh. Duhamel e morri përsipër rolin e Tomit pasi aktori, Armie Hammer, hoqi dorë nga ky projekt si pasojë e skandalit për dhunë, manipulim dhe abuzim emocional të disa grave me të cilat kishte pasur lidhje. Lenny Kravitz, Jennifer Coolidge, Cheech Marin D’Arcy Carden, Selena Tan, Desmin Borges dhe Alex Mallari po ashtu janë pjesë e filmit, regjinë e së cilit e ka bërë Jason Moore.

Këngëtari i shndërruar në aktor, Kravitz, tha se është i lumtur që rezymesë së tij ia ka shtuar edhe aftësitë për skena aksion.

“Ishte me të vërtetë shumë interesante sepse nuk e kam bërë kurrë këtë. Unë jam atletik, por kurrë nuk kam realizuar skena aksion. Dhe ne i kishim këta njerëz të mrekullueshëm për të na stërvitur. E dini, ata më parë kishin punuar në filma si, ‘The Batman’ dhe ‘ James Bond’. Pra, ishte një angazhim serioz. Ata më pyetën nëse do të isha i gatshëm t’i bëja disa gjëra të reja dhe paksa të rrezikshme në film. Dhe unë thashë, ‘Sigurisht që po’. Kështu mësova diçka të re dhe ishte një përvojë interesante”.

Jennifer Coolidge, e cila e portretizon nënën e dhëndrit në film, po ashtu e pati momentin e saj të mbushur me aksion me një armë gjysmë automatike. Ajo deklaroi se në këtë mënyrë e ka përmbushur fantazinë e saj për të qenë e rrezikshme.

“Mendoj se të gjithë e kemi këtë lloj fantazie për të qenë të rrezikshëm. Pra të gjithë e duam këtë ndjenjë. Kur i shikon filmat e këtillë, veçanërisht si grua, nuk të ofrohen role të personazheve të fuqishme dhe paksa të rrezikshme. Këto role kryesisht ju takojnë burrave. Prandaj, isha shumë e lumtur kur mu dha kjo mundësi. Falënderoj zotin që armët që unë i kam përdorur në projektet e fundit nuk ishin reale, dhe unë në fakt nuk po i vrisja njerëzit me të vërtetë. Por më duhet të them, ishte një përvojë argëtuese”.

Filmi “Shotgun Wedding” fillon së transmetuari në platformën Prime Video nga 27 janari.