Ishte një mbrëmje glamuroze në Los Angeles të dielën mbrëma (15 janar), teksa sezoni i shpërblimeve vazhdoi me ceremoninë “Critics Choice Awards”.
Ngjarja e përvitshme, e drejtuar nga komediania Chelsea Handler, u ndoq nga emra të mëdhenj të industrisë së filmit edhe pse disa aktorëve të njohur si, Michelle Pfeiffer, Colin Farrell dhe Jamie Lee Curtis, u detyruan të qëndrojnë në shtëpi, kjo pasi janë prekur nga Covid-19.
Gjatë mbrëmjes, aktori veteran i hollywoodit, John Goodman, doli në skenë për ta ndarë çmimin për arritje jetësore që shkoi për yllin e kinematografisë, Jeff Bridges. Kurse, Kate Hudson ia prezantoi koleges së saj, Janelle Monae, shpërblimin special “SeeHer Award”.
Filmi “Everything Everywhere All at Once” ishte fituesi kryesor i mbrëmjes duke e rrëmbyer çmimin, “Filmi më i mirë i vitit”, derisa projektet televizive, “Abbott Elementary” dhe “Better Call Saul”, i fituan shpërblimet “Seriali më i mirë komedi dhe dramë”.
Sa i përket çmimeve për aktrim, ylli Brendan Fraser u nderua me çmimin “Aktori më i mirë në film”, për rolin e tij në projektin e mirëpritur nga publiku dhe kritikët, “The Whale”. Shpërblimi “Aktorja më e mirë” shkoi për australianen, Cate Blanchett, për përformancën e saj në filmin “Tar”.
Çmimi i sivjetmë “Kasta më e mirë e aktorëve” shkoi për ekipin e filmit, “Glass Onion: A Knives Out Mystery”. Kurse, në kategorinë “Regjisori më i mirë” triumfoi dyshja, Daniel Kwan dhe Daniel Scheinert, për punën e mrekullueshme në filmin “Everything Everywhere All at Once”.
Në kategoritë për television, çmimet “Aktori dhe aktorja më e mirë në dramë” shkuan për yjet, Bob Odenkirk për rolin në serialin “Better Call Saul”, dhe Zendaya për performancën e shkëlqyer në serialin “Euphoria”.
“Aktori më i mirë në komedi” u shpall, Jeremy Allen White, për rolin e tij në serialin “The Bear”, ndërsa çmimi “Aktorja më e mirë në komedi” shkoi për yllin veteran, Jean Smart, dhe performancën e saj në serialin “Hacks”.
Ceremonia “Critics Choice Awards” u transmetua live në kanalin “CW”.