Pas disa muajsh emocion dhe ethe, Amerika më në fund e ka zgjedhur Bryce Leatherwoodin si fitues të shout “The Voice 2022”.
Këngëtari i muzikës country u ndihmua në këtë garë nga mentori, Blake Shelton, dhe gjatë gjithë këtij rrugëtimi nuk e solli asnjë performancë të dobët.
Këngëtari 22-vjeçar, Leatherwood, i cili vjen nga qyteti Statesboro në Gjeorgji, ia mundësoi Sheltonit fitoren e nëntë të kësaj gare muzikore. Ylli i muzikës country, i cili është i martuar me këngëtaren Gwen Stefani, do ta ketë një shans të fundit për ta arritur fitoren e dhjetë, përpara se të largohet nga roli i anëtarit të jurisë së “The Voice”, pas përfundimit të sezonit të 23-të shout të famshëm të kanalit NBC.
Bryse Leatherwood ishte favorit i shikuesve nga fillimi, duke e interpretuar versionin e adaptuar nga Blake Sheltonit të këngës, “Goodbye Time”, në natën e audicioneve. Me kalimin e javëve ai arriti t’i fitojë zemrat e shikuesve, ndërsa përparonte nëpër raunde me performanca të fuqishme dhe të veçanta.
Në natën finale ai u pozicionua në top-treshe krahas konkurrentëve tjerë, Bodie dhe Morgan Myles, dhe përfundimisht e fitoi garën së bashku me një kontratë incizuese me studion, “Universal Music Group”, dhe shpërblimin prej 100 mijë dollarësh kesh.
Gjatë natës finale, në skenën e “The Voice” si mysafir special interpretuan disa artistë yje të muzikës, si Kane Brown, Kelly Clarkson, Maluma, BRELAND, Adam Lambert dhe grupi “OneRepublic”.