Me nëntë nominimet në ceremoninë e radhës, Beyoncé kryeson listën, po thyen edhe rekord me 88 nominime “Grammy” në karrierën e saj, duke e krahasuar veten me bashkëshortin e saj, Jay Z, i cili ka po ashtu 88 nominime në karrierën e tij.
Albumi i Beyoncé, “Renaissance” konkurron në kategorinë “Albumi i vitit”, ndërsa kënga hit “Break My Soul” është nominuar për këngën dhe incizimin e vitit. Beyoncé është nominuar edhe në dy kategoritë e tjera: Incizimi më i mirë dance/electronic dhe R&B.
Beyoncé deri më tash ka marrë 28 “Grammy”, dhe nëse fiton edhe të tjera, ajo mund ta thyejë rekordin prej 31 fitoresh të dirigjentit Georg Solti. Aktualisht ajo është e barabartë me Quincy Jones, i cili qëndron në vendin e dytë.
Në nominimet e sivjetme, Beyoncé ndiqet nga Kendrick Lamar me tetë nominime. Ai do të përballet me Beyoncén në kategoritë e albumit, këngës dhe incizimit të vitit. Në kategorinë për rep ai garon edhe me DJ Khaled dhe Future.
Në kategorinë “Incizimi i vitit” janë nominuar: “Abba”, Brandi Carlile, Steve Lacy, Harry Styles, Lizzo, Doja Cat, Mary J Blige dhe Adele, të cilët morën nga shtatë nominime gjithsej.
Në vitin 2017, Adele e mundi Beyoncén në kategorinë “Albumi i vitit” dhe gjatë fjalimit të saj ajo e lavdëroi këngëtaren amerikane.
“Nuk mund ta pranoj këtë çmim dhe jam shumë e përulur, shumë mirënjohëse dhe shumë e gëzuar, por jeta ime është Beyoncé dhe për mua, albumi ‘Lemonade’ i Beyoncés ishte kaq monumental dhe kaq i mirëmenduar”, kishte thënë Adele në skenë.
Harry Styles, DJ Khaled, Future, The-Dream, Randy Merrill dhe Mary J Blige morën nga gjashtë nominime secili. Janë bërë 16 vjet qëkur Blige është nominuar me “Grammy” për incizim dhe album.
Kategoria për artistin e ri më të mirë, e cila më parë ka pasur fitues emra si: Olivia Rodrigo, Chance the Rapper dhe Billie Eilish, këtë vit përfshin yjet: Anitta, Domi & JD Beck, Latto, “Måneskin”, Molly Tuttle, Muni Long, Omar Apollo, Samara Joy, Tobe Nwigwe dhe “Wet Leg”.
Komedianët kontrovers Dave Chappelle dhe Louis CK u nominuan në kategorinë për albumin më të mirë të komedisë.
Yjet e tjerë të nominuar e që nuk janë saktësisht të lidhur me muzikën përfshijnë emra si: Amanda Gorman, Patton Oswalt, Mel Brooks dhe Viola Davis për versionin e audio-librit të kujtimeve të saj. Nëse Davis do të fitonte, atëherë ajo do të bëhej pjesë e “Egot club”, pasi gjatë karrierës së saj e ka fituar një çmim “Emmy”, një “Oscar” dhe një “Tony”.
Çmimet e këtij viti përfshijnë kategori të reja si tekstshkruesi i vitit (jo klasik), performanca më e mirë e muzikës alternative dhe performanca më e mirë amerikane.
Muajin e kaluar, Nicki Minaj protestoi kundër asaj që kënga e saj “Super Freaky Girl” u zhvendos nga kategoria rap në kategorinë pop. Përfundimisht kënga mori zero nominime. Mospërfilljet e tjera përfshijnë albumet më të fundit të artistëve, Ed Sheeran, Rosalía, “Blackpink”, Megan Thee Stallion, Elton John dhe Kanye West.
Në tetor, Bruno Mars njoftoi se “Silk Sonic”, dyshja që përbëhet nga ai dhe Anderson Paak, do të tërhiqte albumin e tyre nga gara. Në ceremoninë e vitit 2022, dyshja fitoi katër çmime për këngën kryesore të këtij albumi, “Leave the Door Open”. Marsi tha se do të ishte “çmenduri të kërkoje diçka më shumë”. Drake dhe The Weeknd gjithashtu kanë tërhequr albumet e tyre për shqyrtim.
Nga këngëtaret shqiptare këtë vit është nominuar vetëm Bebe Rexha me këngën “I’m Good” (Blue) në bashkëpunim me DJ e njohur David Guetta. Kënga konkurron në kategorinë, “Best dance/electronic recording”.
Deri më tani këngëtarja tjetër shqiptare, Dua Lipa është nominuar në tetë kategori ndërsa ka fituar tri prej tyre: “Best pop vocal album” në vitin 2021, si dhe “Artistja më e Mirë e Re”, dhe “Best Dance/Electronic Recording” për bashkëpunimin e saj me Silk City, “Electricity” në vitin 2019.
Edicioni i 65- të i çmimeve “Grammy” do të mbahet më 5 shkurt.