Ylli televiziv, Kim Kardashian, e cila i ka fëmijët North, Saint, Chicago dhe Psalm me ish-bashkëshortin, Kanye West, ka një muaj që është beqare, prej se u nda nga komediani Pete Davidson.
Edhe pse para pak javësh ajo deklaroi se dëshiron që i dashuri i saj i ardhshëm të jetë mjek apo avokat, në intervistën e fundit për emisionin “Live with Kelly and Ryan”, bukuroshja 41-vjeçare e pranoi se ajo shaka rezultoi problematike për të, pasi një numër i madh i burrave të këtyre dy profesioneve e kishin kontaktuar për t’i kërkuar takim. Por, në fund të fundit, Kim thotë se për momentin dëshiron të mbetet beqare.
“Nuk jam duke kërkuar ndonjë të dashur. Mendoj se kam nevojë të qëndroj vetëm për ca kohë dhe të fokusohem në përfundimin e studimeve dhe në fëmijët e mi”, deklaroi Kardashian.
Prezantuesja e shout, Kelly Ripa, më pas e sugjeroi që ajo të lidhet me ndonjë personalitet të rëndësishëm nga bota e showbizit.
Por, themeluesja e markës “SKIMS” duke bërë shaka tha se tipi i burrave për të cilët ka shfaqur interesim deri më tani, dukshëm nuk po funksionon, prandaj do të provojë ta gjejë partnerin e ardhshëm jashtë skenës së showbizit.
Ndërkohë, ish-bashkëshorti i saj, Kanye West, në një postim të fundit në Instagram e krahasoi dhimbjen e qytetarëve të Londrës për humbjen e mbretëreshës Elizabeth, me humbjen e mbretëreshës së tij, çka mendohet se i është referuar Kim Kardashianit. Raporti i reperit me ish-gruan mbetet i çuditshëm, pasi një ditë e sulmon atë publikisht, dhe ditën tjetër i kërkon falje dhe shpreh interesim për ribashkimin e familjes.
Në anën tjetër, Kim nuk ka shfaqur asnjëherë shenja të pendimit rreth ndarjes së tyre, dhe siç duket ajo dëshiron ta shijojë jetën larg skandaleve të reperit, Ye.