Futbollisti argjentinas Mauro Icardi dhe gruaja dhe agjentja e tij Wanda Nara nuk janë më bashkë, ka bërë të ditur Wanda në profilin e saj zyrtar në Instagram të enjten në mbrëmje.
Mediat në Itali shkruajnë se çifti po ndahet pas tetë vjetësh martesë dhe së bashku kanë dy vajza. Muajt e fundit kishte dyshime se dyshja do t’i jepnin fund lidhjes.
“Është shumë e dhimbshme të jetosh këtë moment, por duke pasur parasysh ekspozimin tim dhe gjërat që shkojnë përtej spekulimeve mediatike, është më mirë ta dinë nga unë. Nuk kam asgjë më shumë për të sqaruar dhe nuk do të jap detaje për këtë ndarje, por ju lutem, keni mirëkuptim, jo vetëm për mua, por edhe për fëmijët tanë”, ka thënë ajo në mesazhin që ka publikuar.
Mauro dhe Wanda prej muajsh kanë pasur shumë probleme në marrëdhënien e tyre dhe vitin e kaluar ajo e akuzoi yllin argjentinas për tradhti, dhe i dhanë fund përkohësisht lidhjes. Mirëpo, disa muaj pas kësaj, ata arritën të gjenin gjuhën e përbashkët dhe të pajtoheshin, por mesa duket kjo nuk zgjati shumë dhe gjithçka u përshkallëzua ditët e fundit.
Në vitin 2008, Wanda u martua me Maxi Lopezin, një tjetër futbollist argjentinas, me të cilin pati tre djem, dhe çifti u divorcua në vitin 2013 pas një sërë akuzash të ndërsjella për tradhti martesore. Në epilogun e historisë me Maxi Lopez, Wanda filloi një lidhje me Icardin, shokun e skuadrës së Maxit dhe një njeri që konsiderohej një nga miqtë e tij më të mirë.
Më vonë në këtë histori u përfshi i gjithë publiku argjentinas si dhe dhoma e zhveshjes së ekipit argjentinas të futbollit dhe mediat vendase shkruanin asokohe se Lionel Messi i ka ndaluar përzgjedhësit ta ftojë Icardin në grumbullime.
Icardi dhe Wanda, pavarësisht gjithçkaje dhe presionit të madh nga publiku, u martuan dhe u betuan për dashurinë e përjetshme në vitin 2014 dhe patën dy vajza - Francesca dhe Isabella. Ndërkohë, Wanda u bë agjente e Mauros. Ajo luajti rol kyç në transferimin e klientit të saj nga Interi te PSG-ja, dhe nga Franca te Galatasaray këtë verë.