Komediani amerikan, Chris Rock, ka thënë se i është kërkuar nga Akademia që ta prezantojë ceremoninë e ardhshme “Oscar”, por e ka refuzuar këtë mundësi, pas incidentit që ndodhi në edicionin e kaluar kur u godit me shuplakë në fytyrë nga kolegu i tij, Will Smith.
Sipas portalit “Arizona Republic”, gjatë paraqitjes së fundit skenike në Phoenix, Rock po ashtu deklaroi se i është bërë oferta që të luajë në një reklamë për “Super Bowl”, por e ka refuzuar ngase se për të, shuplaka e kolegut të tij ishte një përvojë e dhimbshme, si nga ana fizike ashtu edhe ajo emocionale.
Nga muaji mars, kur ndodhi incidenti në fjalë, Will Smith i ka kërkuar falje publike Chris Rockut disa herë. Herën e fundit ai e postoi në rrjetet sociale një video, përmes së cilës bëri të ditur se e ka kontaktuar komedianin dhe i ka kërkuar të diskutojnë ballë për ballë, por ka marrë përgjigje negative pasi Rock nuk është ende i gatshëm të flasë për këtë përvojë të sikletshme për të.
Akademia e cila merret me organizimin e ceremonisë së shpërblimeve prestigjioze, “Oscar”, ka refuzuar ta komentojë deklaratën e fundit të Chris Rockut. Në muajin prill, ata e dënuan veprimin e Will Smithit, i cili nuk do të mund të ndjekë këtë ceremoni për dhjetë vjetët e ardhshëm. Kurse, aktori vendosi të heq dorë nga anëtarësimi në këtë Akademi.