Një problem ligjor më pak për Kanye Westin. Reperi nuk do të përballet me akuza kriminale për goditjen e një adhuruesi jashtë një hoteli në Los Angeles, ngjarje kjo e cila kishte ndodhur në muajin janar. Kështu bëri të ditur ueb faqja për të famshëm, “TMZ”.
Zëdhënësi i avokatit, Mike Feuer, përmes një deklarate për media bëri të ditur se zyra e tyre kishte kryer “shqyrtim të plotë dhe të kujdesshëm të të gjitha provave”, dhe përfundimisht ka përcaktuar se nuk kishte prova të mjaftueshme për ta paditur reperin.
West ishte përmendur si “person dyshues” në raportin policor të incidentit që kishte ndodhur më 13 janar. Pak ditë më vonë, gjatë një interviste për “Hollywood Unlocked”, muzikanti 45-vjeçar e pranoi përfshirjen e tij në këtë zënkë mirëpo tha se nuk e kishte goditur një adhurues, por një person që kërkonte autograf.
“Ata janë njësoj të bezdisshëm sikurse paparacët. Nuk janë adhurues, por persona që e shfrytëzojnë imazhin tonë për përfitime personale. Me siguri kurrë në jetën e tyre nuk e kanë dëgjuar një këngë të artistëve që ua kërkojnë autografin”, kishte deklaruar Kanye rreth incidentit.
Menjëherë pas transmetimit të lajmit, “TMZ” e postoi një video të Westit duke u përfshirë në një tjetër zënkë publike me dy persona të panjohur. Videoja e filmuar në mënyrë të fshehtë, që thuhet se është xhiruar diku mes të mërkurës mbrëma dhe mëngjesit të së enjtes, e shfaq reperin amerikan të zemëruar dhe duke bërtitur e kërcënuar.
Ye duket se ende nuk e ka marrë veten nga humbja e bashkëshortes, Kim Kardashian, me të cilën i ka fëmijët, North, Saint, Chicago dhe Psalm. Pas shkurorëzimit të çiftit të famshëm të showbizit, reperi ishte në lidhje të shkurtër me aktoren e filmit “Uncut Gems”, Julia Fox, para se të spikatej në publik me Chaney Jonesin e cila në mediat online, nga pamja fizike konsiderohet një kopje e ish-gruas së tij miliardere.