Showbiz

Demi Lovato ishte ndier në faj që i ka mbijetuar mbidozës me drogë

Pas gjithë traumave që i ka kaluar vjetëve të fundit, Demi Lovato, është e gatshme të flas për ngarkesën emocionale që e ka përjetuar gjatë rikuperimin nga abuzimi me substancat narkotike.

Në një intervistë të fundit me prezantuesin, Zane Lowe, Lovato foli për këngën “Dead Friends” nga albumi i saj i ardhshëm i titulluar, “Holy Fvck”, duke treguar se e ka shkruar atë në kohën kur po përjetonte emocione të fuqishme si pasojë e vdekjes së mikut dhe kolegut të saj, Mac Miller, nga mbidoza me drogë, derisa ndihej në faj që ajo i kishte mbijetuar mbidozës.

“Gjatë vjetëve unë kam bërë shumë miq. Po ashtu ka humbur miq të mirë që ishin rreth moshës sime, dhe këto humbje më kanë shkaktuar dhimbje thellë në shpirt, sepse kemi kaluar shumë gjëra bashkë. Pas vdekjes së Mac Millerit nga mbidoza aksidentale, unë ndihesha shumë në faj për faktin se i kisha mbijetuar mbidozës sime, dhe kjo më bëri të vendos gjithçka në perspektivë. Thosha me vete, ‘Kjo mund të isha unë, si do ta jetojë jetën tash e tutje?’. Ajo ngjarje tragjike ka ndikuar shumë në mua”.

Miller vdiq në shtator të vitit 2018, nga mbidoza aksidentale me fentanil, kokainë dhe alkool. Kurse, mbidoza e Lovatos me heroinë ndodhi në korrik të atij viti.

Tutje në këtë intervistë, Demi tregoi se shpesh i këshillon artistët që janë nën moshën 18-vjeçare, që të mendojnë mirë para se të nënshkruajnë kontratë bashkëpunimi me studio të mëdha incizuese, raportoi të mërkurën portali “Billboard”.

“Në adoleshencë, njerëzit që nuk janë vazhdimisht në qendër të vëmendjes, janë ende duke u munduar ta kuptojnë veten. Shkojnë nëpër ndeja, argëtohen dhe bëjnë gabime. Kur je 15-vjeçare dhe bënë gabime, ato të duken shumë më të mëdha se që janë në të vërtetë. Nuk e di. Nëse fëmija im adoleshent do të vinte një ditë dhe të më thoshte se dëshiron të bëhet pjesë e industrisë së muzikës, unë do ta këshilloja që të priste deri sa t’i mbushë 18 vjet”, përfundoi këngëtarja.

Albumi i ri i Demi Lovatos, “Holy Fvck”, publikohet të premten (19 gusht).