Showbiz

“She-Hulk: Attorney at Law”, projekti i ri i “Marvelit”

Descriptive Text

Lansimi i serialit të ri të bazuar në universin kinematik “Marvel”, “She-Hulk: Attorney at Law”, u shënua me një premierë glamuroze në Los Angeles, ku të pranishëm ishin yjet e këtij projekti.

Me këtë rast, ata e lavdëruan serialin për faktin se përbëhet nga kastë dhe ekuipazh të udhëhequr nga gratë, raporton agjencia e lajmeve “AP”.

“Ky projekt i dha kuptim gjërave që e di që i ndjej çdo ditë. Dhe kjo nuk është diçka që e shoh gjithmonë në një histori me superheronj. Shpesh është një alegori më e madhe. Kjo duket sikur godet disa të vërteta të thjeshta e të zakonshme, me të cilat mendoj se shumë gra përballen”, tha Tatiana Maslany, e cila e luan rolin protagonist.

Maslany dhe kolegu i saj në serial, Mark Ruffalo, madje bënë shaka rreth faktit se iu ndryshua emri kryepersonazhit.

“Nuk e di çfarë u tha mendja. Atëherë unë do të duhet të isha He-Hulk”, tha duke bërë shaka Ruffalo, i cili në filmat e “Marvelit” e portretizon superheroin e fuqishëm, Hulk.

Aktorja britanike, Jameela Jamil, e cila vjen në rolin e personazhit të lig, tha se ky projekt e ka bërë ta rimendojë mënyrën se si e sheh trupin e saj.

“Pas një jete dhe një karriere ku ndihesha sikur duhet ta bëja veten më të dobët për t’u përshtatur, për t’u pranuar nga njerëzit dhe për të qenë tërheqëse, ishte vërtet freskuese dhe fuqizuese për mua të ndihesha se në fakt, edhe kur je e madhe, e fuqishme, me muskuj të theksuar dhe kur dukesh sikur mund ta mbrosh veten, është gjithashtu shumë seksi. Kjo vërtetë e ka transformuar qëndrimin tim ndaj trupit tim”.

Në serialin, “She-Hulk: Attorney at Law”, personazhi i famshëm për publikun, Bruce Banner, e ndihmon kushërirën e tij Jennifer Walters kur ka nevojë për transfuzion urgjent të gjakut. Dhe e dini se çfarë ndodhë pastaj? Ajo bëhet me superfuqi të njëjta sikur superheroi Hulk. Aktorja Tatiana Maslany e luan rolin e Jenniferit, e cila është një avokate e specializuar në rastet juridike me orientim mbinjerëzor. Ylli i hollywoodit, Mark Ruffalo, rikthehet në rolin e Hulkut, kurse Tim Roth e portretizon armikun e tij, Abomination.

“Doja ta lexoja skenarin dhe ta shikoja se çfarë fryme do ta kishte ky projekt. Në njëfarë mënyre e dija se si duhet të duket, por të realizosh diçka të tillë nuk është e lehtë. Më pas e lexova skenarin dhe menjëherë e kuptova se ia kishin qëlluar me këtë shou. Më pas e kuptova se Tatiana do ta portretizonte rolin kryesor, dhe kjo më gëzoi shumë”, tha Ruffalo mbi qilim të kuq.

Sezoni i parë i serialit “She-Hulk: Attorney at Law” që përbëhet nga nëntë episode, do ta fillojë transmetimin në platformën digjitale Disney+ më 17 gusht të këtij viti.