Mediat e huaja vazhdojnë të shkruajnë për martesën e Rita Orës me Taika Waititin, pavarësisht se çifti i njohur i showbizit nuk e ka konfirmuar këtë lajm.
Edhe revista prestigjioze “People” e ka ngritur pyetjen nëse, pop këngëtarja me prejardhje kosovare dhe regjisori i njohur hollywoodian, e kanë kurorëzuar lidhjen e tyre me martesë, kjo pasi që të dy janë spikatur me unazë ari në gisht.
Megjithëse gazetarët e kësaj reviste i kanë kontaktuar zëdhënësit e çiftit për ta konfirmuar lajmin, ata nuk kanë marrë ndonjë përgjigje.
Por, sipas portalit “Daily Mail”, Ora dhe Waititi, besohet se janë martuar në Londër me një ceremoni intime, derisa pritet që së shpejti ta organizojnë edhe një ndejë më të madhe me miqtë dhe familjarët e tyre.
Rita dhe Taika, besohet se janë në lidhje nga prilli i vitit 2021. Por, vetëm disa muaj më vonë ata e shënuan paraqitjen e parë publike si çift, në premierën e filmit “The Suicide Squad” në Los Angeles.
Në shtator të vitit të kaluar, këngëtarja me prejardhje kosovare dhe famë botërore deklaroi për revistën “Vogue Australia”, se i pëlqen që historinë e saj të dashurisë ta mbajë sa më private.
“Jam në një periudhë të mirë të jetës, dhe kjo është e tëra që do të them për lidhjen time të dashurisë. Thjeshtë, me gjithë respektin mendon se privatësia në jetë është e rëndësishme. Kam mësuar shumë nga gabimet që i kam bërë gjatë të 20-ave”, kishte deklaruar Ora.
Taika Waititi është baba i dy vajzave të cilat i ka nga martesa e kaluar me, Chelsea Winstanleyn, kurse Rita shquhet për lidhjet e shkurtra me disa personalitete të showbizit. Çifti shumë i përfolur ka vendosur ta ndajë kohën mes tri shteteve, Australisë, Britanisë së Madhe dhe Shteteve të Bashkuara.
{gallery}