Showbiz

“BLACKPINK” shënon gjashtëvjetorin e debutimit

Anëtaret e grupit “BLACKPINK” e kanë shfrytëzuar Instagramin për ta shënuar gjashtëvjetorin e debutimit në skenën muzikore, raportoi të hënën portali “NME”.

Grupi i përbërë nga katër vajza, Jisoo, Jennie, Rosé dhe Lisa, debutoi në vitin 2016 me albumin “Square One”, pjesë e së cilit ishin edhe hitet, “Boombayah” dhe “Whistle”.

“Gëzuar përvjetori i gjashtë. ‘BLACKPINK’ përgjithmonë grupi im i dashur”, shkroi Jisoo në mesazhin e saj të shoqëruar me disa fotografi të bendit.

Edhe anëtarja tjetër Rosé, e ndau një foto të vjetër të vajzave, të shoqëruar me një letër emocionuese për mikeshat e saj.

“Anëtaret e dashura të grupit ‘BLACKPINK’, urime përvjetori i gjashtë. Gjatë gjithë kësaj kohe ne kemi ushtruar se bashku, dhe në gjashtë vjetët e fundit që i kemi kaluar duke e promovuar muzikën tonë, kam ndarë shumë kujtime dhe kam mësuar shumë nga ju. Faleminderit që jeni familja ime. Dhe adhuruesve tanë të cilët gjithmonë na kanë mbështetur, në çdo hap të këtij rrugëtimi, dua t’iu them se u jam shumë mirënjohëse. Po ashtu jam falënderuese për çdo kujtim që e kemi krijuar së bashku”, shkroi Rosé.

Tutje, anëtaret e grupit të famshëm të muzikës K-Pop, paralajmëruan se shumë shpejtë do të kenë lajme të mira për fansat e tyre anembanë botës, dhe se ky do të jetë një tjetër vit i suksesshëm për to. Më 19 gusht pritet të lansohet kënga e re e “BLACKPINK” me titull, “Pink Venom”.

Kjo do të jetë kënga e parë nga albumi i ardhshëm i grupit, “Born Pink”, që publikohet për publikun e gjerë në muajin shtator.

“BLACKPINK” do ta promovojë këtë projekt muzikor me një turne botëror, i cili po cilësohet si turneu më i madh botëror në historinë e një grupi vajzash të muzikës K-pop.