Showbiz

“Bullet Train” pozicionohet në vendin e parë të arkave filmike

Descriptive Text

“Bullet Train”, filmi i mbushur me skena aksion ku rolin kryesor e luan aktori, Brad Pitt, arriti t’i arkëtojë 30 milionë dollarë në javën e parë të shfaqjes në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe 32.5 milionë dollarë ekstra nga shitje e biletave nëpër kinematë ndërkombëtare.

Projekti i studios “Sony Pictures”, i cili është realizuar me një buxhet prej 90 milionë dollarësh, ka arritur që ta shënojë një debutim të mirë me arkëtimin e gjithsej 62.5 milionë dollarëve, raporton portali “Variety”.

“Bullet Train” e rrëfen historinë e vrasësit profesionist, Ladybug, i cili dëshiron të heqë dorë nga jeta e krimit, por tërhiqet sërish në situata të komplikuara dhe të rrezikshme nga personi që e ka stërvitur, Maria Beetle, në mënyrë që ta marrë një çantë një tren të shpejtë i cili udhëton nga Tokyo për në Morioka. Por, ai e gjen veten të ngatërruar në një prej betejave më të vështira të jetës, pasi e kupton se treni është i mbushur me vrasës të tjerë profesionist të cilëve u është dhënë i njëjti urdhër.

Përveç yllit hollywoodian Pitt, në film luajnë edhe aktorë të tjera të famshëm si: Sandra Bullock, Joey King, Aaron Taylor-Johnson, Brian Tyree Henry, Andrew Koji, Hiroyuki Sanada, Michael Shannon, Benito “Bad Bunny” Ocasio dhe të tjerë.