Showbiz

Chrissy Teigen dhe John Legend në pritje të fëmijës së tretë

Modelja dhe ylli televiziv, Chrissy Teigen, i informoi ndjekësit të mërkurën (3 gusht) se ajo dhe bashkëshorti, John Legend, janë në pritje të fëmijës së tretë së bashku.

“E kemi edhe një foshnje rrugës,” shkroi Teigen në mesazhin e saj në Instagram, ku po ashtu e postoi një fotografi ku i shihet barku i fryrë.

“Deri më tani gjithçka ka shkuar në mënyrë të përkryer dhe po ndihem mrekullueshëm dhe plot shpresë”, vazhdoi duke thënë tutje.

Chrissy dhe John kanë pothuajse nëntë vjet që janë martuar dhe i kanë dy fëmijë së bashku, Luna dhe Miles.

“Këto vjetet e fundit kanë qenë të mbushura me emocione të ndryshme, por shtëpia dhe zemrat tona janë pushtuar nga gëzimi sërish,” tha bukuroshja 36-vjeçare, duke iu referuar dështimit të shtatzënisë në vitin 2020.

Prandaj kësaj radhe, Teigan ka hezituar nëse duhet bërë publik menjëherë lajmin se është në pritje të fëmijës, raporton CNN-i.

“Para çdo vizite te mjeku, i thosha vetes, ‘mirë, nëse fëmija është i shëndetshëm, atëherë sot do ta bëjë të ditur lajmin se jam shtatzënë’. Por pastaj ia dëgjoja të rrahurat e zemrës, merrja frymë thellë nga lehtësimi dhe sërish vendosja se nuk jam e gatshme për ta bërë një gjë të tillë. Ka qenë vërtetë e vështira ta mbaja shtatzëninë të fshehtë për kaq shumë kohë”, përfundoi modelja.

Pas dështimit të shtatzënisë në vitin 2020, Teigen foli hapur rreth kësaj eksperience të rëndë për të dhe gjithë familjen, duke e ndarë dhimbjen dhe pikëllimin e jashtëzakonshëm që ajo dhe muzikanti i famshëm e kishin përjetuar. Vendimi i modeles për ta dokumentuar humbjen e fëmijës, që ishte djalë, u vlerësua si përpjekje për ta ndryshuar kulturën e gjatë të heshtjes publike rreth dështimit të shtatzënisë, pavarësisht se 10 deri në 25 për qind e shtatzënive përfundojnë me abort spontan.