Showbiz

Chris Rock tallet për shuplakën, pas videos së kërkimfaljes nga Will Smithi

Komediani Chris Rock nuk e ka komentuar direkt videon e kërkimfaljes nga aktori Will Smith, por ka vazhduar ta kthejë në shaka incidentin e famshëm nga ceremonia e Oscars kur u godit me shuplakë nga aktori teksa ishte në prezantim.

“Nëse të gjithë duan të jenë viktima, askush s’do t’i dëgjojë viktimat e vërteta”, ka thënë Rock në një event në Atlanta të premten në mbrëmje. “Madje edhe unë që u godita nga ‘Suge’ Smith... Dola në punë të nesërmen, kam fëmijë”, ka vazhduar ai me shaka, shkruan CNN.

Me Suge është raportuar se Rock i është referuar producentit Suge Knight që aktualisht është i burgosur.

Nuk ishte hera e parë që Rock bëri shaka me incidentin.

Pak orë para deklaratës së Rockut, ishte Smithi që publikoi një video në Instagram duke kërkuar falje publike.

Megjithatë, komediani s’u mor me videon.

Smithi kishte goditur Rockun në ceremoninë e sivjetme të Oscars, pasi komediani bëri një shaka për bashkëshorten e Smithit, Jada Pinkett-Smith. Pas shuplakës, Smithi dha dorëheqje nga Akademia e Filmit. Nga akademia u përjashtua për 10 vjet.