Showbiz

Më në fund, Rock komenton shuplakën nga Will Smithi

Katër muaj pasi u godit me shuplakë nga aktori Will Smith në mbrëmjen e çmimeve Oscar, Chris Rock më në fund ka komentuar çështjen, por sërish me humor, shkruan Daily Mail.

Komediani, i cili reagoi me humor dhe refuzoi të ngrinte akuza kundër Smithit pasi u godit me shuplakë, bëri shaka për incidentin gjatë një shfaqjeje stand-up në New York gjatë fundjavës.

“Kushdo që thotë se fjalët lëndojnë, nuk është goditur asnjëherë në fytyrë”, tha me shaka Rock.

Shfaqja shënon herën e parë që Rocku ka folur publikisht për shuplakën, megjithëse më parë ai la të kuptohej se do të bënte shaka me të sapo ta përpunonte plotësisht atë që ndodhi.

Në fund të marsit - ditë pas ceremonisë së Oscar - Rock shiti biletat për shfaqjen e tij stand-up dhe me të mbërritur, mori një ovacion të fortë.

Smith, ndërkohë, ka qëndruar jashtë vëmendjes që nga veprimet e tij në Oscar dhe është përjashtuar nga të gjitha ngjarjet e Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Filmit për 10 vitet e ardhshme.