Showbiz

Publikohen shifrat e shikueshmërisë së filmit “The Gray Man”

Netflixi i ka zbuluar shifrat e shikueshmërisë për filmin “The Gray Man”.

Derisa projekti më i shtrenjtë deri tani i platformës së famshme digjitale nuk arriti t’i kryesojë listat e përgjithshme të shikueshmërisë, ai qëndron mirë në top-pesëshen e filmave më të shikuar të Netflixit në javën e parë të shfaqjes, raporton portali “Total Film”.

“The Gray Man” është shikuar për 88.55 milionë orë në tri ditët e para të transmetimit. Të vetmit filma që e tejkalojnë këtë sukses janë: “Red Notice”, “Don’t Look Up”, “The Adam Project” dhe “The Kissing Booth”.

Pavarësisht se nuk arriti të pozicionohet në vendin e parë të kësaj liste, është e qartë se kompania Netflix është e kënaqur me performancën e këtij projekti, që është bërë filmi i dytë më i shikuar i këtij viti.

Tashmë është marrë vendimi për realizimin e një vazhdimi të dytë të filmit të mbushur me skena aksion, derisa një version pak më ndryshe i realizuar nga skenaristët e filmit “Deadpool, Rhett Reese dhe Paul Wernick, është po ashtu në realizim e sipër. Reagimet e personave që e kanë shikuar atë nga shtëpia ka qenë kryesisht i mirë, duke e quajtur filmin më të mirë aksion të këtij viti.

“The Gray Man” vjen i mbushur me adrenalinë dhe bazohet në librat bestseller me të njëjtin titull të autorit, Mark Greaney. Ai e rrëfen historinë e një ish-agjenti të CIA-s që detyrohet të luftojë për jetën e tij, pasi tradhtohet nga shteti për të cilin kishte sakrifikuar gjithçka. Në rolet kryesore i sjell superyjet e Hollywoodit, Ryan Gosling dhe Chris Evans, ndërsa xhirimet e tij janë zhvilluar në Francë dhe Çeki.