Ylli i filmave, fitues i çmimit Oscar, Russell Crowe do të luajë në "The Pope's Exorcist".
Aktori, fitues i Oscarit, do të luajë Atin Gabriele Amorth, prift katolik në jetën reale, në filmin e drejtuar nga regjisori Julius Avery.
Në një deklaratë, regjisori tha: "Ka qenë qëllimi im të punoj me Russellin. Të bashkëpunoj me të në filmin e mrekullueshëm "Pope’s Exorcist" është me të vërtetë një ëndërr e bërë realitet".
Xhirimi, do fillojë në shtator në Irlandë, sipas The Hollywood Reporter, i cili zbuloi se, Evan Spiliotopoulos, është duke shkruar skenarin për filmin thriller mbinatyror.
At Amorthi shërbeu si ekzorcisti kryesor i Vatikanit dhe, gjatë jetës së tij, kreu më shumë se 100000 ekzorcizma.
Prifti vdiq në vitin 2016, në moshën 91-vjeçare. Por para se të vdiste, ai shkroi dy memoare, "Exorcist Tells His Story" dhe "An Exorcist: More Stories”, në të cilat ai tregoi përvojat e tij të luftimit të demonëve.
Jeta e priftit tashmë ka frymëzuar dokumentarin e vitit 2017, "The Devil and Father Amorth", ndërsa ai diskutoi gjithashtu përvojat e tij të ekzorcizmit në një intervistë të vitit 2016, me revistën Vanity Fair.
Ai tha në atë kohë: "Rituali i ekzorcizmit nuk praktikohet nga një prift i zakonshëm. Një ekzorcist kërkon trajnim specifik dhe duhet të mendohet se ka një shenjtëri personale. Ai mund të ekspozohet ndaj sjelljeve të rrezikshme dhe kërcënimit personal. Lutjet e tij shpesh shkaktojnë një përgjigje të dhunshme, ndërsa ai përpiqet të ndriçojë një rreze drite në errësirë".
At Amorthi, më parë pohoi se Satani është në Vatikan.
I pyetur nëse ai ende besonte se do të ishte kështu në vitin 2016, ai u përgjigj: "Po. Sot Satani sundon botën. Masat nuk besojnë më në Zot. Dhe, po, Satani është në Vatikan".