1 perditesime
21:18

R. Kelly dënohet me 30 vjet burgim

Ylli i R&B, R. Kelly, u dënua me 30 vjet burgim të mërkurën, për përdorimin e famës së tij për t'i nënshtruar fansat e rinj, disa prej të cilëve fëmijë – ndaj abuzimit seksual sistematik.

Këngëtari dhe kompozitori, 55 vjeç, u dënua për shantazh dhe trafik seksual vitin e kaluar në një gjyq që u dha zë akuzueseve që dikur kishin pyetur veten nëse historitë e tyre po injoroheshin sepse ishin gra afro-amerikane, raportoi Associated Press të mërkurën.

Gjyqtarja amerikane e Qarkut, Ann Donnelly, vendosi dënimin, pasi dëgjoi disa të mbijetuar të cilët dëshmuan se si shfrytëzimi i Kellyt jehoi gjatë gjithë jetës së tyre.

16:56

Ylli R. Kelly rrezikon të dënohet më 25 vjet burgim ose më shumë

Ylli amerikan i muzikës R&B, R. Kelly, përballet me mundësinë që të dënohet me një çerek shekulli ose më shumë burgim, në seancën që pritet të mbahet gjatë ditës së mërkurë e kur pritet të shpallet aktgjykimi ndaj tij për një rast të trafikimit seksual në New York.

Një juri e shpalli vitin e kaluar Kellyn, 55 vjeç, fajtor për shantazh dhe akuza të tjera, raportoi Associated Press të mërkurën.

Zemërimi për sjelljen e pahijshme seksuale të Kelly-t me femrat dhe fëmijët u nxit pjesërisht nga filmi dokumentar i ndjekur gjerësisht "Surviving R. Kelly", i cili u dha zë akuzueseve që pyesnin veten nëse historitë e tyre ishin injoruar më parë sepse ishin gra afro-amerikane.

Gjykatësja amerikane e Qarkut, Ann Donnelly, do të vendosë dënimin në një gjykatë federale në Brooklyn, pasi dëgjoi deklaratat e viktimave dhe edhe të vetë Kellyt.

Prokurorët kërkojnë një dënim me burgim prej minimum 25 vjetësh, ndërsa mbrojtja thotë se një dënim prej 10 vjetësh ose më pak është ajo që ai meriton.

Avokatët e Kelly-t argumentuan në dokumentet e gjykatës se ai duhet të marrë një dënim të ulët sepse ai "përjetoi një fëmijëri traumatike që përfshinte abuzim seksual të rëndë, të zgjatur, varfëri dhe dhunë".

Disa akuzues dëshmuan se Kelly i nënshtronte ata për teka perverse dhe sadiste të tij, kur ata ishin të mitur.

“Kelly, i lindur me emrin, Robert Sylvester Kelly, përdori famën, paratë dhe popullaritetin e tij për të sulmuar në mënyrë sistematike fëmijët dhe vajzat e reja për kënaqësinë e tij seksuale", shkruan prokurorët në dosjen e tyre në fillim të këtij muaji.