Showbiz

Brad Pitt ngre padi civile kundër ish-gruas së tij Angelina Jolie

Aktori i njohur hollywoodian, Brad Pitt, thotë se ish-gruaja e tij, Angelina Jolie, qëllimisht e ka dëmtuar biznesin e tyre të verës, duke ia shitur hisen e saj një të panjohuri që gëzon reputacion të keq në shoqëri.

Sipas dokumenteve të dorëzuara në gjykatë nga aktori, çifti kishte rënë dakord në mënyrë eksplicite dhe reciproke që të mos e bënin kurrë një veprim të tillë, raportoi të martën portali “Yahoo Entertainment”.

Ekipi ligjor i aktorit deklaroi të premten në Gjykatën e Lartë të Kalifornisë, se strategjia e shpronësimit e Angelinas ishte projektuar “për t’i shkaktuar dëm ish-burrit të saj”. Sipas tyre, ylli i kinematografisë e dinte dhe synonte që biznesmeni Yuri Shefler dhe bashkëpunëtorët e tij, do të përpiqeshin ta kontrollonin biznesin që Pitt e kishte ndërtuar, dhe ta dobësonin investimin e tij në Miraval.

Pitt pretendon se gjërat që Shefler i ka bërë që kur mori përsipër pjesën e biznesit të Joliet, po shkojnë saktësisht sipas planit të saj dhe ashtu siç ajo e kishte parashikuar.

Shefler e ka nisur një kontroll armiqësor të biznesit të verës, duke destabilizuar operacionet e kompanisë “Miraval” dhe duke kërkuar qasje në informacionin konfidencial dhe pronësor, në favor të ndërmarrjes së tij konkurruese, thuhet në dokumentet e dorëzuara në gjykatë.

Pitt po e padit ish-gruan e tij pas finalizimit të shkurorëzimit, procedurë kjo që zgjati disa vjet. Por, shitja e hises së Joliet në pronën Château Miraval që gjendet në jug të Francës, e shkaktoi këtë padi civile kundër saj. Brad po e paditë atë për shkelje të kontratës, kryerje të marrëveshjes me keqbesim dhe ndërhyrje në marrëdhëniet kontraktuale dhe të biznesit.

Ai po kërkon që çështja të shkojë në gjykatë, po kërkon dëmshpërblim me të holla dhe kërkon që shitja e supozuar e bërë nga Jolie të shpallet e pavlefshme.

{gallery}