Ylli amerikan i muzikës, Cardi B, e ka realizuar një intervistë të gjatë dhe intime me prezantuesin e famshëm, David Letterman, me ç’rast ka treguar se ndien përgjegjësi për të folur për temat politike, raportoi të hënën portali “NME”.
Rep-artistja ishte mysafire e sezonit të ri të emisionit të realizuar nga Netflixi, “My Next Guest Needs No Introduction”, ku në të kaluarën kanë qenë të ftuar yje të tillë si, Billie Eilish, Kim Kardashian, Lizzo, Dave Chappelle, Robert Downey Jr. dhe të tjerë.
“Unë nuk përfshij tema politike në muzikë, por e shfrytëzoj platformën time për ta bërë këtë. Kështu kam vepruar edhe kur isha vetëm valltare. Dua të them, unë vijë nga Bronxi. Shumë njerëz e mund të frymëzohen nga unë dhe më ndjekin nëpër rrjete sociale sepse duan të shohin se si jam veshur apo ta shohin stilin tim të jetesës. Prandaj, ndjej se kam një përgjegjësi t’ua bëjë atyre me dije që ‘ndërsa janë duke e vëzhguar veshjen time apo duke ma dëgjuar muzikën, shikoni se çfarë po ndodh në këtë pjesë të botës’”, deklaroi reperja.
Gjatë gjithë karrierës së saj, Cardi B e ka bërë të qartë se mban anën e Partisë Demokratike, dhe ajo është një grua e pasionuar liberale që do të vazhdojë të luftojë për të drejtat e njeriut në përgjithësi. Megjithatë, angazhimi i saj më i rëndësishëm lidhet drejtpërdrejt me të drejtat e grave.
Me 150 milionë ndjekës në platformat Instagram dhe Twitter, Cardi definitivisht ka mundësi të arrijë shumë njerëz me kauzat e saj.