Showbiz

Dua Lipa triumfoi në dy kategori të ceremonisë “Billboard Music Awards”

Të dielën mbrëma, u mbajt edicioni i 29-të i ceremonisë së ndarjes së çmimeve “Billboard Music Awards” në Las Vegas, ku të pranishëm ishin disa prej emrave më të njohur të industrisë së muzikës.

Ylli i popit me prejardhje kosovare e famë botërore, Dua Lipa, triumfoi në dy kategori të kësaj ngjarjeje duke i rrëmbyer çmimet, “Kënga më e dëgjuar në radio” për hitin e saj të padiskutueshëm, “Levetating”, dhe “Kënga më e mirë Dance/Electronic” që shkoi për hitin “Cold Heart” i sjell në bashkëpunim me ikonën e muzikës, Elton John.

Dua nuk qe e pranishme në skenë për t’i pranuar trofetë e saj, pasi aktualisht është duke e realizuar turneun e shumëpritur botëror “Future Nostalgia”, raportoi të hënën portali “New York Post”.

Ceremonia “Billboard Music Awards” u prezantua nga reperi dhe producenti i njohur muzikor, Sean “Diddy” Combs.

Vetëm disa ditë pasi e bëri të ditur lajmin e hapjes së labelit të ri të muzikës R&B, “Love Records”, dhe publikimin e një albumi me “Motown Records”, 52-vjeçari Combs e filloi shoun me një performancë të këngës së tij të re “Gotta Move On” me Bryson Tiller, dhe këngëve “First Class” me Jack Harlow dhe “Mo Money, Mo Problems” me djalin tij Christian King Combs dhe artisten e famshme, Teyana Taylor.

Ndër yjet më të nominuar të mbrëmjes ishin, The Weeknd, Ariana Grande, Doja Cat, Justin Bieber, Kanye West, Olivia Rodrigo, Drake, Dua Lipa dhe Ed Sheeran.

Por, fituesit kryesor të këtij edicioni të ceremoninë ishin pa diskutim, këngëtarja Olivia Rodrigo, reperi Kanye West dhe rep artistja Doja Cat.

Rodrigo i rrëmbeu gjithsej shtatë trofe në kategori të rëndësishme të tilla si, “Artistja më e mirë e re”, “Artistja më e mirë”, “Artistja më e suksesshme në toplistë”, “Artistja me këngët më të transmetuara”, “Albumi më i mirë” dhe të tjerë. Kanye West triumfoi në kategoritë e dedikuara muzikës kishtare duke i fituar gjithsej 6 shpërblime. Ndërsa, këngëtarja dhe rep-artistja, Doja Cat, i rrëmbeu katër çmime gjatë mbrëmjes përfshirë këtu kategoritë, “Artistja më e mirë e muzikës R&B” dhe “Albumi më i mirë R&B”.

Në shumicën e kategorive të muzikës rep triumfoi ylli kanadez, Drake. Disa çmime shkuan edhe për grupin e muzikës K-Pop, “BTS”. Taylor Swift u shpërblye në gjithsej katër kategori të mbrëmjes. Megan Thee Stallion e rrëmbeu çmimin “Rep-artistja më e mirë”, kurse Bad Bunny u shpall “Artisti më i mirë i muzikës latine”.

Ndër fituesit e tjerë të mbrëmjes ishin, The Weeknd, Ed Sheeran, Lady Gaga, Lil Nas X dhe Mary J. Blige, e cila u vlerësua me çmimin special “Icon Award”.

Ceremonia e ndarjes së shpërblimeve “Billboard” u karakterizua edhe me performancat e yjeve në skenë në mesin e së cilëve: Megan Thee Stallion, dyshja “Silk Sonic”, Burna Boy, grupi “Florence + The Machine”, Ed Sheeran, Travis Scott dhe Machine Gun Kelly.

{gallery}