Këngëtari i njohur britanik, Harry Styles, ka zbuluar se shkuarja në terapi e ka bërë të ndihet më i gjallë si person, si dhe e ka ndihmuar të jetë më i hapur për ndjenjat e tij.
Ylli 28-vjeçar i muzikës, po ashtu e pranoi se kishte keqkuptime rreth ndjekjes së seancave me psikologun përpara se të shkonte, duke shpjeguar se mendonte që kjo nënkupton se është i sëmurë.
Por që kur e filloi terapinë psikologjike pesë vjet më parë, Harry tregon se kjo e ka ndihmuar të përballet me problemet e ndryshme të jetës dhe me shëndetin e tij mendor, në vend që t’i shmangë ato.
Në një intervistë të fundit për revistën “Better Homes & Gardens”, Harry zbuloi se terapia i ka hapur ndjenja brenda vetes që ai nuk e dinte se ekzistonin.
Ylli i hitit “As It Was” gjithashtu thotë se ia ka zgjidhur problemin e grumbullimit të emocioneve brenda vetes, gjë që ia keqësonte shëndetin e përgjithshëm dhe atë mendor.
“Unë mendoja se shkuarja tek psikologu do të thoshte se ishe i sëmurë, dhe kështu i rezistoja asaj dhe doja ta bindja veten se nuk kisha nevojë për të. Por tani, unë mendoj se të pranosh të jetosh, të jesh i lumtur dhe të lëndohesh deri në ekstrem, është gjëja më e mirë që mund ta bësh dhe që të ndihmon të ndihesh i gjallë. Duke i liruar emocionet e brendshme, duke qarë, duke qeshur, mendoj se kjo është mënyra më e mirë për t’u ndier plotësisht vetvetja”, deklaroi këngëtari.
Ish-anëtari i grupit “One Direction” tregoi se vetëizolimi si pasojë e pandemisë, ia mundësoi atij të largohet nga stili i tensionuar i jetës, duke arritur t’i përpunojë shumë gjëra që kishin ndodhur gjatë periudhës së ngritjes në famë.
Sipas Harryt, ai dhe psikologu i tij janë përpjekur gjatë që ta kuptojnë se përse e ndjen nevojën për të qenë kaq i pëlqyeshëm nga të gjithë, gjë që shpesh e ka detyruar këngëtarin që të jap shumë nga vetja, vetëm për ta arritur këtë qëllim.
Së fundmi, Styles e ka bërë një kalim të suksesshëm nga muzika në film. Ai e ka fituar rolin e parë protagonist në trilerin e ardhshëm psikologjik, “Don’t Worry Darling”. Ai gjithashtu është në lidhje dashurie me regjisoren e këtij projekti, Olivia Wilde.
Filmi në të cilin po ashtu luajnë yjet e Hollywoodit, Florence Pugh, Chris Pine, Gemma Chan, KiKi Layne dhe Nick Kroll, lansohet nëpër kinematë botërore më 23 shtator 2022.
{gallery}