Të premten (6 maj), publikohet albumi i ri i reperit latin, Bad Bunny me titull “Un Verano Sin Ti”, raportoi të martën portali “NME”.
Lajmin për lansimin e albumit të katërt të incizuar në studio, Bad Bunny, emri i vërtetë i së cilit është Benito Antonio Martinez Ocasio, e konfirmoi përmes disa postimeve në rrjetet sociale.
“Un Verano Sin Ti” do t’i përfshijë gjithsej 23 këngë të reja. Titulli i albumit kur përkthehet do të thotë “një verë pa ty”. Ai vjen pas albumit shumë të suksesshëm të reperit të lansuar në vitin 2020, “El Último Tour Del Mundo”, i cili arriti të pozicionohet në vendin e parë të toplistës së 200 albumeve më të mira “Billboard”. Kështu, ai u bë albumi i parë në gjuhën spanjolle që e shënon këtë sukses.
Në muajin janar, Bad Bunny e paralajmëroi turneun muzikor nëpër Amerikën Veriore dhe Jugore, koncertet e së cilit do të mbahen nëpër stadiume të qyteteve të ndryshme. Koncerti i parë fillon më 5 gusht në Orlando të Floridas, për të vazhduar tutje me performanca nëpër qytete tjera të Amerikës Veriore, kurse në tetor të këtij viti Bad Bunny i vazhdon koncertet nëpër Amerikën Jugore.
Përveç muzikë, reperi shumë i dashur latin kohëve të fundit është fokusuar në karrierën e tij si aktorë. Në muajin mars, Benito u shfaq në trailerin e parë të filmit të mbushur me skena aksion, “Bullet Train”, ku luan krahas yllit hollyëoodian, Brad Pitt. Kurse muajin e kaluar, u bë i ditur lajmi se ai është angazhuar për ta portretizuar antiheroin e ri të njohur me emrin, El Muerto. Kështu, ai bëhet aktori i parë latin që e udhëheqë një film të bazuar në universin kinematik “Marvel”, e që vjen i realizuar nga studioja filmike “Sony Pictures”.
I njohur në librat komik si Juan-Carlos Estrada Sanchez, antiheroi El Muerto është një mundës i cili i trashëgon fuqitë e tij në formën e një maske, e cila sipas faqes zyrtare të Marvelit, i jep atij forcë mbinjerëzore.
Projekti i ardhshëm me titull “El Muerto”, pritet të lansohet për publikun e gjerë më 12 janar të vitit 2024.