Kylie Jenner pohoi se Blac Chyna ka provuar ta vrasë vëllain e saj, Rob Kardashian dhe e ka kërcënuar atë me mesazhe.
Këto deklarata bombastike, Jenner i bëri gjatë dhënies së dëshmisë në gjykatë, në rastin e ngrehur nga Chyna kundër familjes Kardashian/Jenner, raportoi të martën portali “Page Six”.
Themeluesja e kompanisë “Kylie Cosmetics” dha dëshmi para gjykatës të hënën (25 prill), me ç’rast deklaroi se i kujtohet ta ketë takuar vëllain e saj pak ditë pas zënkës së bujshme mes çiftit, që kishte ndodhur në dhjetor të vitit 2016 dhe Rob i kishte treguar se Chyna e kishte kërcënuar me armë zjarri.
“Ai me tha se ajo kishte provuar ta vrasë. Mendova se ishte një luftë e ashpër mes tyre që do të përfundonte me vdekje. Më kujtohet që ai ishte shumë i shqetësuar teksa ma shpjegonte çfarë kishte ndodhur”, deklaroi Jenner në gjykatën e Los Angelesit.
Ajo tregoi se Robi i kishte thënë që ishte duke luajtur një videolojë, kur Chyna iu afrua nga prapa dhe provoi ta ngufatë me kabllon e mbushësit të telefonit mobil.
Kylie Jenner, e cila në të kaluarën ka qenë në lidhje romantike me ish-partnerin e Chynas, Tyga, po ashtu dëshmoi se dikur kishte pranuar mesazhe tejet kërcënuese nga ajo.
“Ajo m’i dërgoi disa mesazhe të ashpra përmes së cilave më kërcënonte se mezi pret të më rrahë”.
Ylli televiziv po ashtu deklaroi se Tyga i kishte treguar që Chyna ka probleme me konsumimin e alkoolit dhe drogës, si dhe ia kishte rrëfyer një incident kur Chyna e kishte sulmuar me thikë dhe ia kishte prerë krahun.
Gjatë dëshmisë së saj, bukuroshja 24-vjeçare e pranoi se ishte mërzitur pak kur kishte mësuar se vëllai i saj është fejuar me Blac Chynan.
“Në fakt isha e lumtur për Robin por në të njëjtën kohë isha kurioze ta dija se si do të ishte raporti im me Chynan. Unë doja që gjërat të ishin në rregull mes nesh. Atëkohë unë kaloja shumë kohë me djalin e saj, dhe pavarësisht mërive mes saj dhe ish të dashurit tim, Tyga, doja që lidhja e Chynas me vëllain tim të funksiononte”.
Jenner shtoi se nuk mendon që Chyna e ka dashur vërtetë Robin, kjo për shkak të kërcënimeve dhe abuzimeve fizike që ajo i kishte bërë gjatë lidhjes së trazuar të çiftit.
“Unë thjesht nuk e di se si mund ta duash dikë dhe t’ia bësh ato gjëra. Prandaj mendoj se ishte një lidhje e rreme”, tha Kylie duke ju referuar zënkës së ashpër të dyshes që ndodhi në vitin 2016.
Blac Chyna, e cila e ka djalin King Cairo me reperin Tyga dhe vajzën Dream me Rob Kardashianin, në dëshminë e saj javën e kaluar tha se kishte bërë shaka kur e ka vendosur kabllon rreth qafës së Robit dhe i ishte drejtuar atij me armë zjarri.
Chyna po e padit Kylien, motrat e saj Kim dhe Khloé Kardashian dhe nënën e tyre, Kris Jenner, me 100 milionë dollarë dëmshpërblim me pretendimet se familja e famshme ka bërë shpifje për të dhe komplotoi për ta anuluar emisionin televiziv, “Rob & Chyna”, pas incidentit të vitit 2016.
Chyna gjithashtu ka pohuar se ajo dhe Rob nuk ishin ftuar në një takim pune, që zuri vend në janar të vitit 2017 në shtëpinë e Krisit, ku sipas saj, familja dyshohet se foli me producentët dhe drejtuesit e kanalit televiziv për anulimin e sezonit të dytë të emisionit të saj.