Showbiz

Bad Bunny do ta portretizojë antiheroin e ri të “Marvelit” i njohur si El Muerto

Benito Antonio Martínez Ocasio, më së miri i njohur me emrin skenik Bad Bunny, është angazhuar për ta portretizuar antiheroin e ri të njohur me emrin, El Muerto.

Kështu, ai bëhet aktori i parë latin që e udhëheq një film të bazuar në universin kinematik “Marvel”, e që vjen i realizuar nga studioja filmike “Sony Pictures”.

Projekti i ardhshëm me titull “El Muerto”, pritet të lansohet për publikun e gjerë më 12 janar të vitit 2024, raportoi të martën portali  “Variety”.

Lajmi për përfshirjen e reperit të shndërruar në aktor në filmin me buxhet të lartë, u bë i ditur nga presidenti i divizionit për film në kompaninë “Sony”, Sanford Panitch, në ngjarjen e përvitshme “CinemaCon” që i mbledh pronarët e kinemave në Las Vegas.

“Ta sjellësh në jetë personazhin El Muerto është thjesht e pabesueshme… jam shumë i emocionuar për këtë”, ka deklaruar Bad Bunny para turmës së pranishme në këtë ngjarje. Tutje ai tregoi se është rritur duke qenë adhurues i sportit të mundjes.

I njohur në librat komik si Juan-Carlos Estrada Sanchez, antiheroi El Muerto është një mundës i cili i trashëgon fuqitë e tij në formën e një maske, e cila sipas faqes zyrtare të Marvelit, i jep atij forcë mbinjerëzore.

Deri më tani “Sony” i ka realizuar disa filma të bazuar në personazhet e “Marvelit”, përfshirë këtu projektet me superheroin Spider-Man, të cilin aktualisht e portretizon aktori britanik Tom Holland, filmat “Venom” me protagonist yjet Tom Hardy dhe Michelle Williams, dhe filmi “Morbius” i cili në rolin kryesor e sjell aktorin e shpërblyer me “Oscar, Jared Leto.

Edhe dy projekte të ardhshme pritet të lansohen si rezultat i bashkëpunimit mes kompanive “Sony” dhe “Marvel”. Ata janë, filmi i shumëpritur nga publiku, “Madame Web”, i cili e sjell si protagoniste aktoren Dakota Johnson. Ky film pritet të lansohet nëpër kinema më 7 korrik 2023. Si dhe filmi “Kraven the Hunter” ku luan aktori Aaron Taylor-Johnson, dhe i cili lansohet për publikun e gjerë më 13 janar të vitit të ardhshëm.