Showbiz

Çka do të thotë “G.I. Jane 2”, që detyroi Will Smithin ta godasë Chris Rockun

Aktori Will Smith e tronditi botën të dielën mbrëma kur e goditi në fytyrë komedianin Chris Rock, i cili po e prezantonte fituesin e kategorisë “Dokumentari më i mirë” në ceremoninë e fundit “Oscar”.

Incidenti ndodhi në momentin kur Rock, bëri shaka me kokën e rruar të bashkëshortes së Smithit, Jada Pinkett, së cilës i tha se mezi pret ta shoh në filmin “G.I. Jane 2”.

Komenti në suaza të humorit e acaroi Willin, i cili u ngjit në skenë dhe e goditi me shuplakë kolegun e tij. Më pas ai u kthye në vendin e tij pranë Jadas dhe bërtiti: “Emrin e gruas sime, mbaje larg gojës tënde të ndyrë”.

Jada Smith kishte folur më parë për vendimin e saj për ta rruar kokën pasi vuante nga Alopecia, sëmundje që shkakton rënien e flokëve por nuk rrezikon shëndetin.

Por çfarë është “G.I. Jane”?

“G.I. Jane” është film i vitit 1997 i regjisorit, Ridley Scott, ku rolin kryesor e luan aktorja Demi Moore. Në film, ajo është gruaja e parë që kalon trajnimin e marinës amerikane, madje mposht shumë nga bashkëmoshatarët e saj meshkuj gjatë rrugëtimit.

Jordan (e portretizuar nga Moore), për ta përfunduar provën e saj të vështirë dhe për të forcuar pozicionin, rruan kokën dhe bëhet G.I. Jane. Ajo përfundon duke fshehur plotësisht feminitetin e saj.

Pamja e personazhit të Demit në këtë film, bëri që Chris Rock të bënte shaka për prerjen e flokëve të Jada Pinkett Smithit, pa e menduar se do të përfundonte duke u goditur në fytyrë nga bashkëshorti i saj, dhe duke u bërë pjesë e historisë së ceremonisë glamuroze “Oscar”, ku asnjëherë më parë nuk kishte ndodhur incident i kësaj natyre.