Kanë kaluar 6 vjet prej kur, Britney Spears, e ka lansuar albumin e fundit dhe pak muaj prej kur kujdestaria ligjore ndaj saj ka marrë fund.
Tash këngëtarja e hitit “Toxic” po i bën hapat e parë drejt rikthimit në skenën e muzikës.
Burime të afërta me këngëtaren, kanë konfirmuar të martën, për portalin “Female”, se ekipi i saj u është drejtuar bashkëpunëtorëve të zakonshëm, për të punuar në projekte të reja muzikore.
Kërkesa të mëdha pati edhe nga fansat për këngë të reja nga Britney, e cila është njëra nga këngëtaret më të famshme në historinë e muzikës pop, me më shumë se 150 milionë incizime të shitura anembanë botës.
Spears i publikoi 4 albume sa ishte në kujdestarinë ligjore, por në vitin 2019 ajo filloi ta refuzojë punën në projekte të reja. Në dhjetor të vitit të kaluar, ajo tha se tërheqja nga muzika ishte një formë hakmarrjeje ndaj familjes që për 13 vjet ia ka kontrolluar çdo aspekt të jetës, duke përfituar nga situata e saj, por edhe pasuria miliona-dollarëshe.
Por me në fund, duket se këngëtarja është e hapur ndaj idesë për t’iu kthyer muzikës, sidomos pas përkrahjes dhe dashurisë së madhe që po e merr nga fansat.
Në muajin shkurt u bë i ditur lajmi se, Britney Spears, ka nënshkruar marrëveshje 15 milionë dollarëshe për realizimin e një libri me kujtime, i cili do të rrëfejë gjithçka rreth jetës personale të këngëtares dhe përjetimeve gjatë kohës sa babai i saj shërbente si kujdestar ligjor.
Ndërkaq, lajmi për librin me kujtime i këngëtares problematike vjen pak kohë pasi motra e saj e vogël, Jamie Lynn, e publikoi librin e titulluar “Things I Should Have Said”.