Showbiz

Billie Eilish e emocionuar për pjesëmarrjen në ceremoninë “Oscar”

Foto: AP/Associated Press

Këngëtaren amerikane, Billie Eilish, e kanë pushtuar nervat dhe emocionet rreth pjesëmarrjes në ceremoninë prestigjioze të ndarjes së shpërblimeve “Oscar”.

20-vjeçarja e famshme e muzikës pop dhe vëllai i saj, Finneaas O’Connell, janë të nominuar në kategorinë “Kënga më e mirë origjinale” për hitin e tyre, “No Time To Die”, dhe Eilish mezi po pret të parakalojë mbi qilimin e kuq të shtruar me rastin e kësaj ngjarjeje, që mbahet javën e ardhshme.

“Po, sigurisht, do të jemi aty. Jemi pushtuar nga emocionet, por gjithashtu jemi të lumtur dhe mezi presim ta ndjekim ceremoninë”, ka deklaruar Eilish.

Dy artistët që janë vëlla e motër, nuk kishin hezituar fare me t’iu kërkuar që ta realizonin kolonën zanore të filmit të famshëm me spiunë, “James Bond”. Por, ata i kishin disa rregulla personale, të cilat insistonin t’i ndiqnin gjatë këtij procesi. Ata dëshironin që kënga ta kishte një melodi të fuqishme, të kishte dinamikë dhe ta kishte emrin e njëjtë me filmin, në mënyrë që ta tërhiqnin publikun.

Billie dhe Finneas po ashtu kishin refuzuar t’i dëgjojnë këngët e kaluara të filmave të famshëm aksion, pasi nuk dëshironin që pa dashje të kopjonin ndonjë pjesë të tyre.

Tradicionalisht në ceremoninë “Oscar”, përveç ndarjes së shpërblimeve zënë vend edhe disa performanca muzikore në skenë, kryesisht të artistëve të cilët janë nominuar në kategoritë, “Kënga më e mirë origjinale” dhe “Muzika më e mirë origjinale”. Pritet të shihet nëse këtë vit, Eilish do të ketë mundësi edhe të interpretojë në një prej ngjarjeve më të rëndësishme të kinematografisë në botë.

Ngjarja prestigjioze e cila vjen e organizuar nga Akademia e Arteve dhe Shkencave, mbahet më 28 mars në teatrin “Dolby” në Los Angeles. Aktoret e njohura të komedisë, Amy Schumer, Regina Hall dhe Wanda Sykes, vijnë në rolin e prezantueseve të ceremonisë, ku pritet të marrin pjesë një numër i konsiderueshëm i yjeve të Hollywoodit.

Nominimet e sivjetme tashmë janë bërë publike dhe filmi “The Power Of The Dog” i regjisores nga Zelanda e Re, Jane Campion, po udhëheq me më së shumti nominime, gjithsej 12. Ky projekt gjithashtu garon për shpërblimin kryesor “Filmi më i mirë”, krahas projekteve tjera: “Dune”, “Belfast”, “West Side Story”, “Licorice Pizza”, “CODA”, “Don’t Look Up”, “Drive My Car”, “King Richard” dhe “Nightmare Alley”.