Showbiz

Sandra Bullock e promovoi komedinë e re “The Lost City” në New York

Po vazhdon promovimi i filmit të ri hollywoodian që i takon zhanrit aksion, aventurë dhe romancë, “The Lost City”. Në premierën e radhës e cila zuri vend në New York, mbi qilim të kuq parakaluan yjet e këtij projekti, Sandra Bullock dhe Daniel Radcliffe.

Por, para gazetarëve të pranishëm në këtë ngjarje, aktorja e famshme amerikane Bullock tha se mendja po i rri diku tjetër, duke iu referuar luftës në Ukrainë.

“Është vështirë të vish këtu për ta promovuar një film, kur çdo ditë jemi të bombarduar me ngjarje tragjike. Ka shumë jetë njerëzish që janë duke u humbur, familje që po vuajnë dhe fëmijë që largohen nga shtëpitë e tyre. Dhe në anën tjetër, ti duhet të marrë pjesë në ngjarje të këtilla ku vjen për ta promovuar një film. Në kësi rasti thjeshtë mundohesh ta japësh më të mirën nga vetja, por mendja të rri diku tjetër dhe nuk ndalon asnjëherë t’i përkrahësh njerëzit në nevojë. Në fakt ne jemi vetëm palaço të cilët jemi këtu për t’ju argëtuar dhe për t’ju larguar nga problemet dhe realiteti i hidhur, të paktën për disa orë. Dhe nëse kemi mundësi t’ju sjellim pak gëzim në jetë, atëherë është diçka e mirë. Por në realitet, promovimet e këtilla nuk janë gjëja më e rëndësishme që është duke ndodhur në botë”, deklaroi aktorja.

Krahas yjeve Bullock dhe Radcliffe në këtë projekt luajnë edhe aktorët:

Channing Tatum, Da’Vine Joy Randolph, Patti Harrison, Oscar Nunez, Raymond Lee, Bowen Yang dhe ylli hollywoodian Brad Pitt.

32-vjeçari nga Britania e Madhe, Radcliffe, tha se për të ishte argëtuese ta portretizonte një personazh të lig i cili është paksa patetik, por në veçanti ishte kënaqësi të punonte për tre muaj në një lokacion tropikal, në një kohë kur të gjithë ishin ende të vetizoluar si pasojë e pandemisë.

Aktori i shquar për rolin e magjistarit Harry Potter, nuk kishte pasur rastin të xhirojë krahas ikonës së kinematografisë, Brad Pitt, dhe kjo gjë i kishte mërzitur disa prej miqve dhe familjarëve të tij.

“Ai është i jashtëzakonshëm në film. Unë në fakt nuk pata rastin të xhiroja me të, gjë që i ka bërë të gjitha gratë në jetën time që ta humbin respektin për mua. Madje më kanë kritikuar pse nuk shkova në sheshin e xhirimeve për ta takuar atë. Por, ai është fantastik në film. Është shumë qesharak dhe është bërë pjesë edhe e disa skenave goxha të rrezikshme”, tha Radcliffe.

Filmi e rrëfen historinë e një shkrimtareje të romaneve romantike, Loretta Sage, e personifikuar në film nga Bullock, e cila ishte e sigurt që asgjë nuk mund të ishte më keq sesa të ngecte në një turne libri, me modelin e saj të ballinës i cili portretizohet nga Tatum. Por gjërat përkeqësohen kur një përpjekje kidnapimi i dërgon ata në një aventurë të rrezikshme në xhungël, dhe kështu mëson se jeta mund të jetë shumë më e çuditshme dhe më romantike, se cilado histori e librave të saj.

“The Lost City” fillon së shfaquri nëpër kinema nga 25 marsi.