Filmat “The Lost Daughter”, “Drive My Car” dhe “Summer of Soul”, ishin ndër fituesit kryesor në edicionin e 37-të të ceremonisë së ndarjes së shpërblimeve “Film Independent Spirit Awards”.
Ngjarja e cila u prezantua nga çifti i njohur i Hollywoodit, Nick Offerman dhe Megan Mullally, zuri vend të dielën mbrëma më Santa Monica kurse u transmetua në kanalet televizive, AMC dhe IFC.
Aktorja e shndërruar në regjisore, Maggie Gyllenhaal, i fitoi gjithsej 3 shpërblime gjatë mbrëmjes, atë “Filmi më i mirë”, “Regjisori më i mirë” dhe “Skenari më i mirë”, për filmin e adaptuar nga romani i Elena Ferrantes, “The Lost Daughter.”
Filmi japonez “Drive My Car” i cili po ashtu është i nominuar për “Oscar” në kategorinë “Filmi më i mirë”, në ceremoninë e së dielës e fitoi çmimin “Filmi më i mirë ndërkombëtar”.
Projekti “Summer of Soul” i cili vjen me regji të muzikantit të njohur, Ahmir “Questlove” Thompson, u shpall dokumentari më i mirë. Filmi e risjell në jetë festivalin tashmë të harruar të vitit 1969, “Harlem Cultural Festival”.
Taylour Paige u shpall “Aktorja më e mirë” për rolin e saj në filmin “Zola”, kurse Simon Rex u shpall “Aktori më i mirë” për portretizimin e një ish-ylli të pornografisë në filmin “Red Rocket”.
Troy Kotsur e pranoi edhe një shpërblim të rëndësishëm për karrierën e tij. Ai u shpall “Aktori më i mirë në rol dytësor” për rolin në filmin “CODA”, duke u bërë aktori i parë shurdhmemec që e pranoi këtë çmim.
Çmimi “Aktorja më e mirë në rol dytësor” shkoi për Ruth Neggan, e cila u vlerësua për performancën e mrekullueshme në filmin “Passing”, i cili vjen me regji të aktores së shndërruar në regjisore, Rebecca Hall”
Për shkak se janë realizuar me buxhet të lartë, shumë filma të suksesshëm hollywoodian nuk arritën të nominohen sivjet në këtë ceremoni, të tillë si: “Belfast”, “King Richard” dhe “The Power of the Dog”. Për t’u konsideruar për nominim, filmat duhet të jenë realizuar me një buxhet më të vogël se 22.5 milionë dollarësh.
Kjo ngjarje e përvitshme ndonjëherë shërben si indikator i asaj që mund të ndodhë në natën e ndarjes së çmimeve akademike. Vitin e kaluar, filmi i Chloé Zhaos, “Nomadland”, i fitoi çmimet “Filmi më i mirë” dhe “Regjisorja më e mirë” në ceremoninë “Film Independent Spirit Awards”, para se të triumfonte në kategoritë kryesore të ngjarjes më të madhe në kinematografi, “Oscar”.
Filmat “Moonlight”, “Spotlight”, “Birdman” dhe “12 Years a Slave”, po ashtu kishin fituar çmime “Spirit Awards” para se të triumfonin në kategorinë “Filmi më i mirë” në ceremoninë “Oscar”.