Këngëtarja i ka dërguar mbështetjen e saj popullit të Ukrainës në mes të konfliktit të vendit me Vladimir Putinin e Rusisë.
Krijuesja e hitit “Malibu” ka kujtuar se ka pasur “eksperiencë të mrekullueshme” gjatë filmimit të videoklipit të saj në vitin 2018 “Nothing Breaks Like A Heart” në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev, teksa ka treguar edhe mbështetjen e saj ndaj popullit të Ukrainës pasi Rusia nisi sulmin në shkallë të gjerë kundër vendit të saj fqinj.
“Këtë mëngjes u zgjova me lajmin që më theu zemrën se Ukraina ishte pushtuar. Kam pasur përvojën më të pabesueshme duke filmuar “Nothing Breaks Like A Heart” në Kiev dhe do t'i jem përgjithmonë mirënjohës komunitetit lokal që më priti krahëhapur. Unë qëndroj në solidaritet me të gjithë në Ukrainë që janë prekur nga ky sulm dhe me komunitetin tonë global që po bën thirrje për një fund të menjëhershëm të kësaj dhune”, ka shkruar në rrjetet sociale ylli 29-vjeçar i popit.
Gjatë momenteve të këtij postimi, ka pasur 137 viktima dhe 316 të plagosur.
Miley nuk është e vetmja që po ofron mbështetjen dhe flet kundër presidentit rus, Vladimir Putin.
Legjenda e Hollywoodit, Arnold Schwarzenegger, 74-vjeç, po ashtu ka ofruar mbështetjen e tij për popullin ukrainas në mediat sociale, duke shpresuar që në fund “të mbizotërojë një mendje e shëndoshë”.
Ylli i ‘Terminator’ dhe ish-guvernatori i Kalifornisë shkroi: “Mendimet e mia janë me popullin ukrainas”.
“Më është kërkuar të bëj disa intervista, por besoj se lajmet duhet të vazhdojnë të fokusohen në atë që po ndodh në terren – në tragjedinë që na ka thyer zemrat dhe trimërinë e popullit ukrainas që na ka frymëzuar”.
“Unë nuk jam ekspert i politikës së jashtme, ndaj analizat ua lë njerëzve më të zgjuar se unë”.
“E di se si është të rritesh pas një lufte, në një vend të pushtuar dhe e di se në luftë askush nuk fiton”.
“Lufta ka një mënyrë për të thyer fituesit dhe humbësit. Unë kam miq dhe fansa ukrainas dhe kam miq dhe fansa rusë. Me sa mund të them, asnjëri prej tyre nuk e dëshiron këtë”, ka vazhduar ai.
“Shpresoj se mendja do të mbizotërojë përfundimisht dhe do t'i japë fund kësaj lufte të panevojshme përpara se të shkatërrohen shumë jetë”.