Showbiz

Adele ishte fituesja kryesore në ceremoninë “BRIT Awards”

Ylli britanik i muzikës, Adele, ishte ndër fitueset kryesore të ceremonisë së sivjetme “BRIT Awards”, e cila u mbajt të martën në arenën O2 të Londrës. Gjatë mbrëmjes, ajo i fitoi 3 çmimet më të mëdha të ceremonisë, “Albumi i vitit” për lansimin e saj të fundit “30”, “Kënga më e mirë e vitit” për hitin “Easy On Me” dhe çmimin “Artistja e vitit”.

Pas këtij triumfi të jashtëzakonshëm, Adele komentoi rreth albumeve personale në muzikën modern duke thënë që sot, jo shumë njerëz realizojnë albume të tilla.

Me ta pranuar shpërblimin “Albumi i vitit” kah fundi i ceremonisë, kantautorja e famshme reflektoi mbi natyrën e albumit “30”, këngët e së cilit bazohen në përjetimet e saj me shkurorëzimin.

“Do të doja t’ia kushtoj këtë shpërblim djalit tim Angelo dhe babait të tij, Simon. Ky album e përshkruan këtë rrugëtim tonin të vështirë dhe jo vetëm timin. Jam shumë krenare me veten që këmbëngula dhe e lansova një album që ishte shumë personal për mua, sepse sot, jo shumë njerëz bëjnë gjëra të këtilla. Djali im ka qenë aq mirëkuptues dhe i dashur me mua këto vjetët e fundit, prandaj gjithë suksesin tim ia dedikoj atij”.

 

 

Në fillim të mbrëmjes, derisa e pranoi në skenë trofeun “Artistja më e mirë e vitit”, Adele i lavdëroi kolegët e saj të nominuar në këtë kategori, në veçanti reperen e re Little Simz.

“Dua ta uroj në veçanti artistin Little Simz. Kam shumë dashuri për ty dhe mendoj se je i mahnitshëm. Dave, Ed, Sam, jam shumë krenare të jem në shoqërinë tuaj. Më pëlqen shumë të jem artiste, me të vërtetë po dhe në përgjithësi nuk mund ta besoj që kjo është puna ime. Britania e Madhe ka shumë artistë të ri, të mrekullueshëm dhe të talentuar, prandaj kurrë mos e harroni arsyen pse jeni këta që jeni”.

 

 

Ndër artistët e tjerë të shpërblyer në këtë edicion të ceremonisë “BRIT” ishin: Ed Sheeran, Dua Lipa, Sam Fender, Dave, grupet “Wolf Alice” dhe “Silk Sonic”, Billie Eilish, Olivia Rodrigo, Little Simz, Becky Hill dhe të tjerë.

Adele po ashtu e interpretoi në skenë këngën, “I Drink Wine”, krahas performuesve tjerë të mbrëmjes si, Anne-Marie, Liam Gallagher, Little Simz, Dave, Fender dhe Ed Sheeran.