Ylli i muzikës, Doja Cat, e ka anuluar pjesëmarrjen në ceremoninë e ardhshme “BRIT Awards”, kjo pasi disa anëtarë të ekipit të saj kanë rezultuar pozitiv me koronavirus.
Përmes një mesazhi të postuar në Twitter, artistja e famshme e konfirmoi lajmin se disa pjesëtarë me të cilët realizon turne, janë prekur nga COVID-19 dhe si pasojë po detyrohet që herë pas here t’i anulojë performancat e saj.
“Fatkeqësisht, për shkak të rasteve me koronavirus në ekipin tim, më nuk kam mundësi të interpretojë në ceremoninë shpërblyese ‘BRIT’. Thjeshtë nuk është e sigurt për ne t’i vazhdojmë provat së bashku dhe ta rrezikojmë shëndetin e njëri-tjetrit. Mezi pres të performojë për adhuruesit e mi në Britani të Madhe. Kujdesuni për veten”, shkroi Doja në mesazhin e saj.
Doja Cat, emri i vërtetë i së cilës është Amala Dlamini, është e nominuar në dy kategori të ceremonisë së sivjetme “BRIT”, atë “Artistja më e mirë ndërkombëtare” dhe “Kënga më e mirë ndërkombëtare”, për hitin e saj të fundit të realizuar në bashkëpunim me këngëtaren SZA, “Kiss Me More”.
Kjo do ta shënonte herën e parë që Doja do të performonte në ceremoninë e famshme, e cila zë vend më 8 shkurt në arenën O2 të Londrës.
Kjo nuk është hera e parë që këngëtarja dhe rep artistja amerikane po detyrohet t’i anulojë performancat muzikore shkaku i pandemisë. Më 11 dhjetor ajo i lajmëroi fansat se po i anulon koncertet në New York, Boston, Philadelphia, Washington DC, Atlanta dhe Miami, pasi është e detyruar të karantinohet. Doja po ashtu mungoi në koncertet e fundvitit të organizuara nga “iHeartRadio”
Këngëtarja është prekur dy herë nga koronavirusi. Ajo ishte ndër personat e famshëm që në fillim të përhapjes së pandemisë anembanë botës, kishte bërë shaka duke thënë se nuk frikësohej nga ky “virus i shpikur”.
— doja cat (@DojaCat) January 31, 2022