Anëtaret e pop grupit të njohur të viteve ’80, “Spice Girls”, pritet të ribashkohen me rastin e dasmës së Brooklynit, djali i madh i çiftit David dhe Victoria Beckham.
Fotografi 22-vjeçar do të martohet me aktoren, Nicola Peltz, në muajin prill në Florida dhe e ëma e tij, Victoria, në këtë ngjarje glamuroze i ka ftuar edhe ish-anëtaret e bendit, Mel B, Melanie C, Emma Bunton dhe Geri Horner.
Një burim për gazetën “The Sun” ka deklaruar: “Ishte një ftesë e bukur dhe ato janë të gjitha të emocionuara për të marrë pjesë. Do të jetë hera e parë pas shumë vjetësh që do të shoqërohen të gjitha së bashku, kështu që mezi presin mundësinë për t’u takuar me njëra-tjetrën. Ndërsa, Nicola Peltz ka zgjedhur t’i veshë dy fustane Valentino në ditën e saj të madhe, anëtaret e ‘Spice Girls’, nëse duan, do të kenë mundësi të zgjedhin fustane të markës së Victoria Beckhamit”.
Vitin e kaluar, Melanie C tregoi se ajo bashkë me katër mikeshat e saj, janë duke biseduar vazhdimisht për ta realizuar dhe një turne të fundit.
“Kjo duhet të ndodhë. Ne flasim vazhdimisht për këtë. Ne i realizuam disa koncerte në vitin 2019 dhe plani ishte të vazhdonim tutje. Sigurisht, bota është përfshirë nga trazira të mëdha si pasojë e pandemisë, por plani përtej kësaj është që të kthehemi në skenë kur të jetë e sigurt dhe kur të jetë e mundur ta bëjmë një gjë të tillë. Por, është vështirë ta bësh këtë ngase ka shumë artistë që mezi po presin t’i fillojnë turnetë muzikorë dhe fatkeqësisht numri i lokacioneve për të organizuar koncerte është i limituar. Prandaj edhe ne po presim në radhë për të parë se çfarë do të ndodhë”, kishte deklaruar këngëtarja.
Në vitin 2019, bendi e realizoi turneun muzikor “Spice World – Tour” por pa anëtaren, Victoria Beckham, e cila vendosi të mos i bashkohet kolegeve të saj, Geri, Mel B, Emma dhe Mel C, në koncertet e realizuara nëpër stadiume të ndryshme të botës.
Ndërsa, viti 2021 e shënoi 25-vjetorin e paraqitjes së parë publike të “Spice Girls”. Grupi i cili e gëzoi një karrierë të jashtëzakonshme në skenën e muzikës anembanë botës, debutoi me hitin “Wannabe”. Pas debutimit ikonik në vitin 1996, “Wannabe” i kryesoi toplistat muzikore në 37 shtete të botës. Ajo është kënga e gjashtë debutuese me shitjen më të mirë të të gjitha kohërave, me gjithsej 1.3 milion shitje. Po ashtu e gëzon titullin e këngës me qëndrimin më të gjatë në pozitën e parë të toplistave muzikore, nga një grup i vajzave. Kurse, albumi debutues i grupit me titull “Spice” arriti t’i shes 31 milionë kopje anembanë botës, dhe u bë albumi më i shitur i të gjitha kohërave nga një grup femrash.
Gjatë karrierës së tyre muzikore, anëtaret e bendit “Spice Girls” i kanë shitur më shumë se 90 milion albume anembanë botës, i kanë publikuar 3 albume të incizuara në studio si dhe i kanë fituar disa shpërblime muzikore, përfshirë këtu një çmim special “BRIT Award” për kontribut të jashtëzakonshëm në skenën britanike të muzikës.