Anitta ka nënshkruar kontratë me kompaninë “Sony Music Publishing”
Foto: AP/Associated Press
Yll 28-vjeçar i muzikës, Anitta, ka arritur marrëveshje me kompaninë “Sony Music Publishing”. Këngëtarja, valltarja, kantautorja dhe aktorja braziliane ka arritur marrëveshje të re me studion incizuese gjigante për të vazhduar ta sjellin muzikën e saj deri tek audienca globale.
Megjithëse e gëzon një karrierë të suksesshme dhe shquhet si një nga artistet më të veçanta latine, Anitta depërtoi në tregun amerikan të muzikës në vitin 2021 me hitin “Girl From Rio”.
Këngëtarja e cila tashmë ka bashkëpunuar me yje të njohur të muzikës, si Cardi B dhe Saweetie, në një prononcim për media tha: “Jam e emocionuar që po bashkohem me familjen e ‘Sony Music Publishing’. Mezi pres të vazhdoj ta ndaj muzikën time në shkallë globale dhe pres me padurim se çfarë do të sjellë ky partneritet i ri për karrierën time”.
Kurse menaxheri i Anittas, Brandon Silverstein, deklaroi: “Jemi jashtëzakonisht të emocionuar për Anittan dhe mbarë ekipin që do të bashkëpunojnë me Jon Plattin dhe familjen e ‘Sony Music Publishing’. Mezi presim të punojmë me ta për ta shpërndarë muzikën e Anittas në shkallë globale dhe jemi të emocionuar për atë që do të sjellë e nesërmja”.
Jon Platt, kryetar dhe Shef Ekzekutiv i kompaninë “Sony Music Publishing”, shtoi: “Anitta është një interpretuese e shkëlqyer, autenticiteti i së cilës si tekstshkruese i kapërcen lehtësisht kulturat e ndryshme. Ndërsa ajo vazhdon ta zgjerojë ndikimin e saj në mbarë botën, kompania jonë ‘Sony Music Publishing’ është e ngazëllyer për ta mbështetur rrugëtimin e saj krijues edhe në të ardhmen”.
Megaylli latin ka kohë që është duke punuar me dyshen, Max Martin dhe Ryan Tedder, në realizimin e albumit të saj të pestë të incizuar në studio që po ashtu e mban titullin, “Girl From Rio”. Albumi i fundit i lansuar nga Anitta ishte ai i vitit 2019, “Kisses”, i cili përmbante këngë në tri gjuhë të ndryshme si portugalisht, spanjisht dhe anglisht.