Kanye West, Drake, Tyler the Creator dhe yje të tjerë të muzikës, e ndoqën funeralin e disenjatorit të ndjerë, Virgil Abloh, në fillim të kësaj jave.
Ceremonia zuri vend në Muzeun e Artit Bashkëkohor në Chicago, derisa fotografi të shumta kanë filluar të qarkullojnë online ku shihen yje të tillë si, Kanye West, Drake, Tyler the Creator, Kid Cudi dhe Kim Kardashian. Besohet që edhe artistët, Rihanna, Frank Ocean, A$AP Rocky dhe të tjerë ishin të pranishëm në këtë funeral.
Disenjatori i famshëm i modës vdiq muajin e kaluar pas një beteje të fshehtë me sëmundjen e kancerit. Abloh i cili më së miri njihej si drejtor artistik i shtëpisë franceze të modës, “Louis Vuitton”, dhe kryeshefi ekzekutiv i markës milaneze të modës, “Off-White”, ishte vetëm 41-vjeçar.
Ai kishte kohë që po e luftonte një formë të rrallë dhe agresive të kancerit, sëmundje kjo e njohur si “cardiac angiosarcoma”. I diagnostikuar në vitin 2019, Abloh në mënyrë heroike vazhdoi të punojë në projektet të ndryshme të modës, derisa në të njëjtën kohë i nënshtrohej disa tretmanëve sfiduese dhe të vështira.
Menjëherë pas lajmit të vdekjes së disenjatorit, yje të shumtë nga bota e showbizit i pushtuan rrjetet sociale me mesazhet ngushëlluese, për një prej personave më punëtorë, pozitiv dhe kreativ në industrinë e modës. Në mesin e tyre edhe bashkëpunëtorët e Ablohit, si Kendall Jener, Hailey Bieber, Dua Lipa, Gigi dhe Bella Hadid, Rita Ora, Billie Eilish, Cardi B dhe të tjerë.
Kanye West po ashtu e nderoi mikun e tij të kamotshëm përmes një performance dedikuese të korit, “Sunday Service”, me ç’rast e interpretuan një version prekës së këngës së yllit Adele, “Easy On Me”.
Abloh ka lënë prapa gruan Shannon Abloh dhe dy fëmijët e tyre, Lowe dhe Grey.