Billie Eilish rikthehet me intervistën e përvitshme të realizuar nga “Vanity Fair”. Nga viti 2017, këngëtarja e njohur amerikane e ka realizuar këtë intervistë ku i parashtrohen pyetjet e njëjta, dhe Eilish ka mundësi t’i dëgjojë përgjigjet që i ka dhënë në të kaluarën për të parë se sa kanë ndryshuar pikëpamjet e saj ndaj jetës dhe karrierës.
Duke reflektuar mbi përgjigjet që i kishte dhënë gjatë vitit 2020 në kohën kur bota po përballej me situatën e jashtëzakonshme të shkaktuar nga pandemia, Eilish nuk mund të mos qeshte me veten dhe disa prej përgjigjeve të saj.
“Zot i madh, ajo vajzë po kalonte nëpër një krizë identiteti. Këtë gjë mund ta shohësh në sytë e mi. Dua të them, më shikoni si dukem. Të lutem! Çfarë po ndodhte kështu me mua?”, deklaroi këngëtarja duke bërë shaka.
Duke shikuar prapa në kohë dhe duke vënë re sa i është rritur vetëbesimi nga viti 2017, kur edhe ka filluar të bëhet pjesë e këtij projekti të revistës “Vanity Fair”, këngëtarja tha se kurrë nuk do ta ketë egon më të madhe se në intervistën e vitit 2019. Por, ajo shpjegoi se ekziston një arsye për këtë.
“Është më se e sigurt që atëkohë ndihesha mirë me veten dhe kisha shumë vetëbesim. Kjo ndodhi ngaqë isha ndier keq për aq shumë kohë, sa që kur fillova të ndryshoja nuk mund ta frenoja dot krenarinë. Por, kohëve të fundit po ndihem shumë mirë. Kam hyrë në moshë të rritur gjë që është një eksperiencë plotësisht e re dhe e panjohur për mua. Jam e emocionuar për këtë fakt, kam takuar njerëz të rinj dhe jam e rrethuar me shumë dashuri”.
Në intervistën e këtij viti, Eilish po ashtu tregoi që me kalimin e vjetëve perspektiva e saj në përmbushjen e kërkesave të botës ka ndryshuar.
“Ndiej shumë presion, por gjithashtu do të thosha se në atë kohë... ndihesha shumë e dashur nga publiku dhe fansat e mi. Po tregohem plotësisht e sinqertë për këtë. Prandaj kisha frikë sepse doja ta mbaja atë dashuri. Dhe tani, shumë njerëz më urrejnë, kështu që nuk brengosem më për mendimin e të tjerëve. Thjeshtë mendoj që nëse dikujt i pëlqej, mirë shumë, nëse jo, nuk kam çfarë të bëjë për këtë”, tha Billie duke qeshur.
Vitin e kaluar, ylli i njohur i muzikës bëri shaka duke thënë se do ta vazhdojë këtë traditë intervistuese deri sa t’i mbush 90 vjet. Kurse, përgjigjet e plota të këngëtares mund t’i ndiqni në intervistën e cila tashmë është publikuar në platformën YouTube.
Një prej projekteve të fundit të këngëtares 19-vjeçare është kolona zanore e filmit me të njëjtin titull, “No Time To Die”. Billie dhe vëllai i saj, Finneas, e kanë shkruar këngën dhe që të dy mezi kishin pritur ta dëgjojnë atë në ekran të madh, pasi e konsiderojnë këtë një moment të madh në karrierën dhe jetën e tyre.
Ylli i hitit “Bad Guy” po ashtu është konfirmuar si një prej artisteve kryesore që do të peformojë në festivalin e muzikës “Glastonbury”, vitin e ardhshëm. Në këtë mënyrë, Eilish, bënë histori si solo artistja më e re në moshë që do të ketë performancë titullare në këtë skenë.
Eilish gjithashtu e ka shfaqur përvojën e saj kinematografike përmes filmit koncertal me titull, “Happier than Ever: A Love Letter to Los Angeles”, i cili u transmetua ekskluzivisht në platformën digjitale, “Disney+”. më 3 shtator të këtij viti.
Në përgjithësi, viti 2021 ishte i veçantë për këngëtaren për faktin se në muajin korrik e lansoi albumin e dytë të incizuar në studio me titull, “Happier Than Ever”. Ky incizim u mirëprit nga fansat e saj anembanë botës, shënoi suksese të mira në toplistat muzikore dhe shumica e këngëve të albumit u shndërruar në hite të menjëhershme, si “Lost Cause”, “NDA”, “Happier Than Ever”, “Your Power” dhe të tjerë.