Showbiz

Mary J. Blige thotë se albumi i saj i ri do t’i habisë të gjithë

Foto: AP/Associated Press

Ylli i njohur i muzikës, Mary J. Blige, ka deklaruar se albumi i ardhshëm do t’i habisë të gjithë fansat e saj.

Këngëtarja 50-vjeçare ka kohë që po punon rreth realizimit të albumit të 14-të të incizuar në studio, dhe e pranon se këngët e tij janë inspiruar nga disa prej momenteve më të errëta të jetës së saj, të cilat përfundimisht e kanë ndihmuar ta njohë dhe pranojë veten.

“Pritni sa ta dëgjoni, do t’iu hedhë trutë në erë të gjithëve. Kjo ishte diçka që duhet ta bëja patjetër dhe diçka që duhet ta thosha kur isha duke kaluar nëpër momentet më të këqija të jetës sime, për ta përforcuar vetëbesimin tim dhe për të mësuar që ta pranojë veten ashtu siç jam, bashkë me të gjitha gjërat që dikur i urreja tek vetja”.

Këngëtarja e njohur e muzikës R&B ende nuk e ka zbuluar titullin e këtij albumi, por ai pritet të finalizohet shumë shpejtë dhe të lansohet në fillim të vitit të ardhshëm.

Blige në këtë intervistë të fundit po ashtu foli për shkurorëzimin e saj nga menaxheri, Kendu Isaccs, me të cilin ishte e martuar nga viti 2003 deri më 2018, me ç’rast e pranoi që pavarësisht se ishte e mërzitur për mënyrën si kishin ndodhur gjërat, nuk e kishte lejuar veten të hidhërohej por thjeshtë ka lënë që koha t’i shërojë të gjitha plagët.

Projekti i ardhshëm i yllit të hitit “Family Affair”, vjen pak kohë pasi u bë i ditur lajmi se Blige, do t’iu bashkëngjitet ikonave tjera të muzikës, si Dr. Dre, Eminem, Snoop Dogg dhe Kendrick Lamar, për të performuar në finalen e Kampionatit të Futbollit Amerikan, “Super Bowl”, që mbahet vitin e ardhshëm.

Kantautorja e njohur dhe shumë e dashur nga publiku, e shquar për këngë të tilla si “No More Drama”, “Be Without You”, “Just Fine”, “Mr. Wrong” dhe të tjerë, gjatë karrierës së saj i ka realizuar 23 hite të pozicionuara në vendin e parë në toplistat muzikore.

Blige po ashtu i ka fituar disa shpërblime të rëndësishme, prej debutimit të saj në skenë në vitin 1992, duke i përfshirë këtu nëntë shpërblime “Grammy” dhe gjashtë çmime “BET”.

Këngëtarja gjithashtu e gëzon një karrierë të mirë edhe si aktore.