Showbiz

Adele po thyen rekorde në Amerikë me albumin e ri “30”

Albumi “30” i kantautores britanike Adele pas vetëm tri ditëve të lansimit, ka arritur të bëhet albumi më i shitur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ylli i hitit “Easy On Me” e ka thyer rekordin të cilin e mbante këngëtarja amerikane, Taylor Swift, me albumin “Evermore”, duke i shitur më shumë se 500 mijë kopje albumit të saj të katërt të incizuar në studio.

Sipas statistikave të sigluara nga “Billboard”, albumi i ri i 33-vjeçares Adele i cili i përmban gjithsej 12 këngë, e fiton titullin e shitjeve më të mëdha të javës duke e thyer edhe rekordin tjetër të Taylor Swiftit, të arritur me versionin e riincizuar të albumit “Red”, i cili ishte lansuar më 12 nëntor dhe brenda një javë i kishte shitur 396 mijë kopje.

Pritet që “30” të pozicionohet në vendin e parë edhe të toplistës “Billboard” të 200 albumeve më të mira, dhe në rast se ndodhë kjo gjë, atëherë bëhet incizimi i tretë me radhë i Adeles që e gëzon këtë sukses, pas albumeve “25” dhe “21”.

Mënyra se si këngëtarja britanike ka zgjedhur ta promovojë albumin e ri, është përmes dy emisioneve speciale televizive, njëri u transmetua në kanalin “CBS” dhe ku përfshihej një koncert dhe një intervistë intime me prezantuesen, Oprah Winfrey, dhe një tjetër emision që u transmetua në “ITV” në Britani të Madhe, ku këngëtarja përveç performancave iu përgjigj edhe pyetjeve nga publiku i mbushur me yje të showbizit.