Showbiz

Shqetësimet e Fifit shkaktojnë debate në publik

Spektakli i së martës mbrëma “Big Brother VIP”, ishte i mbushur me ngjarje qesharake, por edhe dramatike.

Momenti që shkaktoi më së shumti tension, si te publiku jashtë ashtu edhe tek banorët brenda ishte situata e krijuar mes konkurrentes nga Kosova, Fifi dhe opinionistes së këtij emisioni, Balina Bodinaku. Edhe një herë, këngëtarja e njohur e baladave u ndie e sulmuar nga kritikat dhe komentet negative të Bodinakut ndaj saj. Si pasojë e stresit të akumuluar dhe emocioneve të fuqishme të cilat Fifi ka pranuar se e ka problem t’i menaxhojë, ajo përfundoi duke kërkuar me ngulm të largohet nga shtëpia dhe për një moment i humbi ndjenjat gjatë transmetimit live.

Kjo ngjarje shkaktoi shumë shqetësim në mesin e banorëve brenda shtëpisë të cilët u desh të reagonin shpejt për t’i dalë në ndihmë Fifit, e cila pas pak minutave e mori veten ani pse vazhdoi të jetë e shqetësuar për mendimin që publiku mund ta ketë krijuar për të, keqkuptimin, siç thotë ajo, të karakterit të saj dhe kritikat e vazhdueshme të opinionistes Balina Bodinaku ndaj saj.

Megjithëkëtë, Fifit iu dha zgjedhja e largimit apo qëndrimit në shtëpinë e “Big Brother VIP”, dhe përfundimisht ajo vendosi ta vazhdojë garën për çmimin e madh prej 100 mijë euro.

Mirëpo, veprimet e Fifit nuk mbetën pa u ndëshkuar në njëfarë forme, pasi publiku përfundoi duke e votuar atë të dalë në nominim për tri ditët e ardhshme, duke i dhënë edhe një mundësi ndoshta të fundit që ajo të reflektojë mbi lojën e saj brenda këtij shou.

Mbetet të shihet se si do të jenë këto ditët në vazhdim për këngëtaren kosovare, dhe nëse ajo do të arrijë t’i bëjë ballë presionit të izolimit për tre muaj brenda kësaj shtëpie dhe lojës së banorëve tjerë për të triumfuar në “Big Brother”.

E në rrjetet sociale, publiku duket i ndarë në mendimin se a duhet të qëndrojë apo të dalë Fifi nga shtëpia e famshme.