Showbiz

Cardi B do ta prezantojë ceremoninë “American Music Awards”

Foto: AP/Associated Press

Gjatë karrierës së saj, Cardi B i ka fituar pesë shpërblime “American Music Awards” dhe ka performuar në këtë ngjarje. Hapi i radhës do të jetë prezantimi i ceremonisë.

Rep artistja e njohur për hite të tilla si “Bodak Yellow” dhe “Money” është caktuar si prezantuese e shout, fituesit e së cilit përcaktohen nga votat e publikut, dhe që transmetohet live nga Los Angelesi më 21 nëntor në kanalin “ABC”.

“Jemi shumë të lumtur që do ta kemi si prezantuese për herë të parë, yllin e muzikës Cardi B e cila do ta sjell energjinë e saj unike në ceremoninë e ‘American Music Awards’”, ka thënë producentja ekzekutive e shout, Jesse Collins, përmes një komunikate për media të lëshuar të martën.

Cardi B e ka interpretuar hitin “I Like It” në ceremoninë “AMA” të vitit 2018, së bashku me yjet latinë J Balvin dhe Bad Bunny. Gjithashtu ka bërë histori gjatë paraqitjes së fundit në këtë ceremoni duke u bërë reperja e parë që e ka fituar dy herë çmimin “Kënga e preferuar Hip-Hop”.

Olivia Rodrigo, e cila për herë të parë ka arritur të bëhet pjesë e ceremonisë po udhëheq me gjithsej shtatë nominime, përfshirë këtu kategoritë “Artisti i vitit” dhe “Artistja më e mirë e re”.

Fituesi i pesëfishtë i shpërblimit “AMA”, The Weeknd, sivjet garon në gjashtë kategori derisa për çmimin “Artisti më i mirë i vitit” garon krahas yjeve, Rodrigo, “BTS”, Ariana Grande, Drake dhe Taylor Swift.

Ylli i muzikës reggaeton, Bad Bunny dhe artistët e rinj të zhanrit R&B, Giveon dhe Doja Cat, secili i ka fituar nga pesë nominime. Në kategorinë “Artisti apo artistja më e mirë e re” garojnë këngëtarët, Olivia Rodrigo, Giveon, 24KGoldn, Masked Wolf dhe The Kid LAROI.

Swift, e cila aktualisht e mbanë rekordin e artistes më të shpërblyer me çmim “AMA” në historinë e kësaj ceremonie, ka mundësi t’i shtojë koleksionit të saj edhe më shumë trofe. Ajo garon në tri kategori të mbrëmjes përfshirë këtu çmimin “Albumi i preferuar pop”, ku është nominuar për incizimin e fundit “Evermore.”

Organizatorët e shpërblimeve “American Music Awards” këtë vit i kanë shtuar edhe disa kategori të reja, si “Kënga më e transmetuar”, “Artisti më i mirë i muzikës kishtare” dhe “Dyshja apo grupi më o mirë latin”.

Reperi Pop Smoke i cili u vra në vitin 2020, është nominuar në tri kategori të mbrëmjes, përfshirë këtu “Albumi i preferuar hip-hop” dhe “Artisti i preferuar i zhanrit hip-hop”. Prandaj, ekziston mundësia që reperi i ndjerë të shpërblehet me një çmim postmortum.