Ylli i njohur amerikan, Cardi B, thotë se asaj nuk i bënë më përshtypje asgjë, pasi sipas reperes, tashmë i ka provuar të gjitha.
29-vjeçarja e famshme e cila para se të bëhej një prej muzikanteve më fitimprurëse në botë, kishte punuar si valltare ekzotike, e ka shfrytëzuar rrjetin social Twitter për të treguar se në këtë pikë të jetës, është vështirë të impresionohet nga diçka, marrë parasysh gjërat që tashmë i ka arritur në jetën dhe në karrierën e saj.
Nothing impresses me. I’ve done it all.
— iamcardib (@iamcardib) October 24, 2021
Cardi B e ka vajzën tri vjeçare, Kulture dhe një djalë pothuajse dy muajsh, me reperin Offset.
Ylli i hitit “WAP” e bëri të ditur lindjen e fëmijës së dytë të çiftit, përmes një postimi në Instagram më 6 shtator, duke e shfaqur një fotografi nga dhoma e spitalit.
Në të kaluarën, rep artistja e famshme ka shpjeguar se të qenit nënë i ka dhënë motiv për të punuar më shumë se kurrë. Cardi e cila është e martuar me yllin e grupit “Migos” nga viti 2017, thotë se është e vendosur që t’iu ofrojë fëmijëve të saj mundësitë më të mira të mundshme për të arritur sukses në jetë.
E njohur për hite të shumta muzikore, Cardi B, e lansoi këngën e fundit si solo artiste, “Up”, para tetë muajve kurse në muajin korrik erdhi me një bashkëpunim mjaft të suksesshëm me këngëtaren Normani. Kënga e mban titullin “Wild Side” dhe i numëron më shumë se 63 milionë klikime në YouTube.