Showbiz

Alec Baldwin gjatë xhirimeve aksidentalisht vret pjesëtaren e filmit

Autoritetet kanë nisur hetimet pasi konfirmuan se një armë skene me të cilën shtiu aktori Alec Baldwin teksa ishte në xhirime të një filmi, e la të vdekur kinematografen dhe plagosi regjisorin.

Zyrtarët policorë në Santa Fe kanë thënë se Halyna Hutchins, kinematografja në filmin “Rust” dhe regjisori Joel Souza u qëlluan të enjten gjatë xhirimeve të filmit të vendosur në një shkretëtirë në periferi të Santa Fe.

Hutchins, 42 vjeçare, u transportua me helikopter në Spitalin e Universitetit të New Mexicos, ku ajo u shpall e vdekur nga personeli mjekësor, ka bërë të ditur policia e Santa Fe.

Në një deklaratë për agjencinë e lajmeve AFP, zëdhënësi i policisë në Santa Fe, ka bërë të ditur se aktori Baldwin ka folur me detektivët.

“Erdhi vullnetarisht dhe doli nga ndërtesa pasi përfundoi intervistimin”, ka thënë zëdhënësi i policisë.

Sipas uebfaqes personale, Hutchins ishte nga Ukraina dhe është rritur në një bazë ushtarake sovjetike. Ka studiuar gazetarinë në Kiev dhe për filmin në Los Angeles. Gjatë vitit 2019, revista “American Cinematographer” e kishte shpallur si “yll në rritje” në botën filmike.

Ndërkaq, Souza, 48 vjeç, u dërgua me ambulancë në Qendrën Mjekësore Rajonale Christus St. Vincent, ku po trajtohet për plagët e marra. Xhirimet e filmit janë ndërprerë menjëherë.

Santa Fe New Mexican raportoi se 63-vjeçari Baldwin u pa të enjten jashtë zyrës së sherifit në lot, por përpjekjet për të marrë koment prej tij ishin të pasuksesshme.

Baldwin ishte bashkë-producent në film dhe luan rolin e një të jashtëligjshmi, nipi i të cilit dënohet për vrasje aksidentale.

Më i madhi nga katër vëllezërit aktor, Baldwin ka luajtur numër të madh rolesh që prej viteve ’80. Fitoi disa çmime për rolin e Jack Donaghy në serinë e famshme “30 Rock”. Portretizimi i Donald Trumpit në “Saturday Night Live” e bëri edhe më të famshëm.

Incidentet siç ishte vrasja e regjisores së fotografisë në filmin “Rust” janë shumë të rralla, por jo të padëgjuara më parë.

Të shtënat e vërteta me armë përdoren vazhdimisht në filma, por fishekët krijojnë zhurmë dhe zjarr pa liruar projektilin.

Në vitin 1993, Brnadon Lee, i biri 28-vjeçar i yllit Bruce Lee, vdiq gjatë xhirimeve kur aksidentalisht u qëllua me armë në filmin “The Crow”.